Thellohet tragjedia në Malishevë/ Vrau bashkëshorten shtatzënë në muajin e 8-të, 26-vjeçari vdes në spital

Egzon Bytyçi, 26-vjeçari i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij shtatzënë, Jetlira Foniqi, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lajmi është konfirmuar për Klan Kosovën nga drejtori i Mjekimit në QKUK, Shaqir Uka. Bytyçi prej disa ditësh ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi pas plagosjes së bashkëshortes dyshohet se kishte qëlluar edhe veten në kokë.
“Egzon Bytyçi ka vdekur në orët e mbrëmjes së sotme pasi nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve”, deklaroi Uka.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit në fshatin Kërvasari të Malishevës. Rasti u raportua në Polici rreth orës 23:20, ndërsa çifti i ri u gjet i plagosur me armë zjarri brenda dhomës së gjumit.
Sipas të dhënave të bëra publike pas ngjarjes, Bytyçi dyshohet se qëlloi me armë në kokë bashkëshorten e tij, Jetlira Foniqin, dhe më pas veten. Rastin në Polici e raportoi babai i 26-vjeçarit, ndërsa në vendngjarje hetuesit sekuestruan një armë.
Jetlira u dërgua me urgjencë në QKUK, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. 25-vjeçarja ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, vetëm pak javë para lindjes. Ajo ndërroi jetë pak pasi mbërriti në Emergjencë.
Ndërkohë, Bytyçi vijoi të qëndronte në gjendje kritike. QKUK bëri me dije më 25 gusht se 26-vjeçari po merrte trajtim në Qendrën Emergjente dhe se gjendja e tij nuk kishte ndryshuar. Dy ditë më vonë, ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Sa i përket motivit të ngjarjes, nga hetimet dhe informacionet e para të raportuara në mediat e Kosovës, xhelozia është një nga pistat e ngritura. Gjithashtu është raportuar për konflikte të shfaqura së fundmi mes çiftit, për të cilat familjarët e Jetlirës kanë deklaruar se nuk kishin pasur dijeni.
Në media janë publikuar edhe pretendime nga familjarë të Bytyçit për probleme të mëparshme të shëndetit mendor gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Megjithatë, Policia ka sqaruar se këto pretendime nuk janë verifikuar dhe nuk përbëjnë një konstatim mjekësor apo një shkak të provuar të tragjedisë.


