DETAJE/ Zbardhet operacioni i arrestimit të Ergys Agasit, si u prangos pas 8 muajsh arrati ‘kreu i bandës së AKSHI-t’

Aktualitet

DETAJE/ Zbardhet operacioni i arrestimit të Ergys Agasit, si u prangos pas

Tetë muaj ka zgjatur arratia e Ergys Agasit (ortakut të Edi Ramës), i shpallur në kërkim që prej muajit dhjetor (prej 8 muajsh) nga Prokuroria e Posaçme (SPAK-u) për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Biznesmeni Agasi u arrestua pasditen e djeshme në zonën e Plepave në Durrës, teksa lëvizte me makinë. Operacioni i koduara me emrin “The Wanted” është koordinuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), të asistuar nga strukturat e Policisë. Biznesmeni Agasi kishte rreth dy javë nën monitorim.

Në operacion janë angazhuar gjithashtu RENEA dhe FNSH. Pas arrestimit, Agasi është sjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Autoritetet dyshonin se ai strehohej në Elbasan dhe e vunë në ndjekje teksa udhëtonte drejt Durrësit. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe disa çanta, por deri tani nuk është bërë e ditur përmbajtja e tyre. Në të njëjtin aksion është arrestuar edhe Uljan Shpataraku, ish-punonjës policie, i cili akuzohet për përkrahje të autorit të krimit në lidhje me Agasin. Agasi kërkohej që prej dhjetorit të vitit të kaluar, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

 Gjatë operacionit të 16 dhjetorit 2025, agjentët e BKH-së dhe Policia ushtruan kontrolle në ambiente të lidhura me të, por biznesmeni nuk u gjet dhe prej atij momenti qëndroi në arrati. Arrestimi i tij mbyll kështu një arrati që nisi me shpërthimin e një prej dosjeve të SPAK për prokurimet publike sa i takon aferës së “AKSHI-t). Z. Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri konsiderohen nga organi i akuzës si figura kyçe të mekanizmit të dyshuar kriminal që vepronte rreth tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Z. Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa autoritetet franceze po shqyrtojnë kërkesën shqiptare për ekstradimin e tij.

Dosja SPAK për Agasin, nga rrëmbimi i biznesmenit te sekuestrimi i 40 mln €

Dosja për të cilën hetohet Agasi shkon përtej dyshimeve për tenderë të paracaktuar. Procedimi i SPAK përfshin akuza për “konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqje të paligjshme të lirisë”, “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, krahas veprave të korrupsionit që hetohen në të njëjtin procedim.

 Në materialet hetimore të bëra publike më herët del një skemë ku tenderët dyshohet se diskutoheshin dhe orientoheshin përpara zhvillimit të procedurave. Në pamjet dhe komunikimet e sekuestruara nga hetuesit përmenden projekte, vlera kontratash dhe kritere prokurimi. Në një prej bisedave të administruara në dosje përmendet edhe dyfishimi i vlerës së një projekti nga 2 në 4 milionë. Një nga episodet më të rënda të dosjes lidhet me biznesmenin Gerond Meçe. Sipas materialeve hetimore të raportuara në media, ai u mor forcërisht në gusht 2025 nga persona të veshur si punonjës policie dhe agjentë të BKH-së dhe u mbajt nën presion për t'u tërhequr nga ankesat për procedurat e tenderëve.

Hetuesit dyshojnë se pas këtij episodi qëndronte grupi i drejtuar nga Agasi dhe Beqiri. SPAK ka administruar gjithashtu komunikime mes Agasit dhe Beqirit që, sipas materialeve të dosjes të publikuara në media, lidhen me tenderët dhe me çështje të tjera nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Këto komunikime janë pjesë e materialeve mbi të cilat mbështeten dyshimet për rolin e Agasit. Një tjetër kapitull i dosjes lidhet me pasurinë. Më 21 prill 2026, SPAK njoftoi sekuestrimin e pasurive me vlerë të përgjithshme mbi 40 milionë euro në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Masa përfshiu pasuri të lidhura me disa persona nën hetim, ndërsa për Agasin lista përmban prona, automjet, llogari bankare dhe interesa biznesi.

Sipas vendimit të gjykatës të raportuar në media, në rastin e Agasit bëhet fjalë për 29 pasuri, të shpërndara kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Tokat e regjistruara në emrin e tij arrijnë rreth 78,961 metra katrorë, ose afro 7.9 hektarë. Emri i Agasit është përmendur ndërkohë edhe në debatin politik për shkak të pretendimeve për ndikimin e tij pranë qeverisë dhe marrëdhëniet me zyrtarë të lartë.

 Agasi nuk ka mbajtur një post të lartë publik. Kur gazetarët e pyetën në konferencën e fundvitit 2025 për Agasin dhe ndikimin që dyshohej se kishte në tenderët e AKSHI-t, kryeministri Edi Rama tha se çështja ishte nën hetim dhe se nuk kishte dijeni që ta lejonte të komentonte informacionet e publikuara. Nga kontrollet e 16 dhjetorit 2025, hetimi kaloi te sekuestrimi i pasurive në prill 2026, ndërsa Agasi vijoi të qëndronte në kërkim. Për muaj me radhë qarkulluan versione se ai mund të ishte larguar jashtë Shqipërisë, ndërsa raportime të tjera e vendosnin brenda vendit, me Elbasanin si një prej zonave ku dyshohej se strehohej. Monitorimi i dy javëve të fundit çoi në lokalizimin e tij. Me ekzekutimin e masës “arrest me burg”, Ergys Agasi pritet të përballet me akuzat dhe materialet që SPAK ka administruar në dosjen e AKSHI-t.

Pronat e sekuestruara

Më 21 prill 2026, SPAK njoftoi se ka sekuestruar prona me vlerë 40 mln euro, por në vendimin e gjykatës, jepen më shumë detaje për secilën pronë. Sipas vendimit, Agasit i janë sekuestruar 29 pasuri të shpërndara kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Mes tyre përfshihen sipërfaqe të mëdha toke në zonën e Petrelës, truall në Lundër dhe prona në bregdet. Në listën e aseteve të bllokuara përfshihet edhe një automjet luksoz “Land Rover Defender” i vitit 2023, një nga modelet më të fundit në treg, i cili rezulton në pronësi të tij dhe tashmë është pjesë e masës së sekuestros. Makina është kjo më poshtë, e cila pak kohë më parë është denoncuar nga ish-kryeministri Berisha. Nga të dhënat e vendimit rezulton se vetëm sipërfaqja e tokave të regjistruara në emër të Agasit arrin në rreth 78,961 m², ose afro 7.9 hektarë.

Kjo përfshin kryesisht prona të llojit pyll dhe arë në zonën e Petrelës, si dhe disa parcela trualli në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Kjo sipërfaqe e konsiderueshme toke përbën një pjesë të rëndësishme të pasurisë së sekuestruar. Ndërkohë, në rastin e biznesmenit Ermal Beqiri, në fokus të hetimeve janë 10 pasuri, përfshirë toka, ndërtesa, njësi tregtare dhe mjete. Ajo që bie në sy është sekuestrimi i një jahti luksoz tip “Predator 50 Skyfall”, një mjet lundrues i prodhuesit britanik Sunseeker, me gjatësi rreth 14.5 metra dhe i pajisur me dy motorë.

Sipas të dhënave, jahti është regjistruar në emër të një personi të tretë, por konsiderohet i lidhur me Beqirin dhe vlerësohet rreth 1 milion euro. Në total, sipërfaqja e tokave të sekuestruara në emër të Beqirit arrin në rreth 3,090 m², ose rreth 0.3 hektarë, të shpërndara kryesisht në Tiranë dhe në zonën bregdetare të Vlorës, përfshirë edhe prona në komplekse rezidenciale të njohura. Vendimi i gjykatës evidenton se pasuritë dyshohen të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe lidhen me vepra si korrupsioni, shkelja e barazisë në tendera dhe pastrimi i parave. Përveç pasurive të paluajtshme, janë bllokuar edhe kompani, llogari bankare dhe automjete të shumta luksoze. Operacioni i sekuestrimit është shtrirë në disa qytete dhe është ekzekutuar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policia e Shtetit. Hetimet vijojnë, ndërsa pasuritë mbeten nën administrim të autoriteteve deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

ME TE LEXUARAT