“Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur” – Brohoritjet antishqiptare në Kumanovë nxisin reagime në rajon

Thirrje skandaloze kundër shqiptarëve janë dëgjuar gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, në Kumanovë. “Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, dhe “Maqedoni e pastër” janë vetëm disa nga sloganet e turpshme që kanë bërë xhiron e rrjeteve.
Në sallë ishin të pranishëm kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Brendshëm Panço Toshkovski. Vetë Mickoski ka deklaruar se nuk i dëgjoi thirrjet, por premtoi hetim. Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi reagim të menjëhershëm dhe ndëshkim për organizatorët.
Reagime të ashpra kanë ardhur nga BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe përfaqësues të Kosovës, përfshirë edhe kritikë për heshtjen e Kurtit, që akuzohet si bashkëpërgjegjës për sjelljen e qeverisë aktuale maqedonase.
Kodi Penal maqedonas e klasifikon si vepër penale çdo gjuhë urrejtjeje mbi baza etnike. Tifozët që nxorën në pah fytyrën më të errët të nacionalizmit në sport rrezikojnë ndëshkime. Presioni ndërkombëtar pritet të rritet.


