"Tre pasagjerë janë më rëndë", aksidenti me 30 të lënduar nga Kosova në Gjermani, reagon kompania

Një aksident i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 20 gushtit në autostradën A8, afër Irsshenbergut në Gjermani, ku u përfshi një autobus me udhëtarë nga Kosova.
Autobusi i kompanisë Dubova Reisen, i nisur drejt Mynihut, u përplas me pjesën e pasme të një kamioni të ngarkuar me perime, i drejtuar nga një polak 47-vjeçar. Shoferi i autobusit, 49-vjeçar nga Sllovenia, tentoi të shmangte aksidentin, por nuk ia doli.
Pas përplasjes, autoritetet gjermane mbyllën për trafik segmentin e autostradës për gati dy orë. Sipas mediave gjermane, 30 persona u lënduan gjatë aksidentit, nga të cilët gjashtë raportohet të kenë marrë lëndime të rënda dhe u dërguan në spital. Të tjerët morën trajtim të menjëhershëm në vend ose me lëndime më të lehta.
Kompania Dubova Reisen konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se tre pasagjerë pësuan lëndime të lehta nga xhamat e thyera, ndërsa pjesa tjetër janë në gjendje të qëndrueshme.
“Fatmirësisht, pasagjerët janë mirë, vetëm tre nga ta janë me lëndime të lehta për shkak të dëmtimit të xhamave. Aksidenti ndodhi rreth orës 00:30. Autobusi ishte në trasen e tij, një makinë ka ardhur nga e majtë, nga ana e shoferit, duke ia humbur drejtimin”, thanë kompania.
Autobusi transportonte 50 pasagjerë në total, shumica të Kosovës, ndërsa aksidenti ndodhi kur një makinë e papritur hyri në rrugën e autobusit, duke humbur drejtimin dhe shkaktuar përplasjen me kamionin.
Autoritetet gjermane po vijojnë hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit.


