Beqaj lë spitalin, rikthehet në ambientet e paraburgimit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka lënë dhomat e spitalit në QSUT dhe është rikthyer në burgun e Durrësit, ku vuante masën e sigurisë “arrest në burg”. Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve konfirmuan se Beqaj u trajtua në shërbimin e Alergologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për një alergji akute në lëkurë dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Beqaj qëndronte në spital për shkak të temperaturës së lartë dhe një infeksioni të rëndë në lëkurë. Pas stabilizimit, ai është rikthyer në ambientet e IEVP-së në Durrës, ku po vazhdon masën e sigurisë.
Ish-ministri qëndron në paraburgim prej një viti për llogari të dosjes SASPAC dhe është i pandehur në fazë gjykimi për çështjen penale të “Sterilizimit”. SPAK ka kërkuar në qershor që të deklarohen fajtorë tetë bashkëpandehurit e tij, të cilët po gjykohen në një proces të veçuar.
Beqaj dyshohet se ka nënshkruar kontrata në kundërshtim me ligjin, duke bazuar dokumentacion të pavërtetë në studimin e fizibilitetit dhe pa shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit.


