Mbi 120 oficerë goditën bandën shqiptare të kanabisit në Belgjikë, prokuroria apelon lirimin e të arrestuarve

Policia federale gjyqësore e Belgjikës (FGP) kreu në qershor një operacion të madh kundër kultivimit masiv të kanabisit, duke arrestuar 15 persona, nga të cilët 11 u mbajtën në paraburgim. Operacioni përfshiu mbi 120 oficerë policie dhe tre ekipe mbështetëse me qen, me kontrolle në qytete si Kortrijk, Menen, Harelbeke, Waregem, Wervik, Moeskroen, Asse, Machelen, Antwerpen, Ronse, Ledeberg, Verviers, Engis dhe në Bruksel.
Gjatë aksionit u zbuluan tri plantacione aktive në Gent, Harelbeke dhe Verviers, me më shumë se 3.200 bimë kanabis dhe fidane. U sekuestruan gjithashtu 4.8 kilogramë kanabis, tre automjete, armë të ndaluara dhe para cash. Hetimet financiare çuan në sekuestrimin e llogarive bankare dhe atyre në kriptomonedha.
Shtatëmbëdhjetë persona u arrestuan, 10 prej të cilëve me origjinë shqiptare, ndërsa të tjerët janë belgë, një kongolez dhe një rumun. Organizata kriminale shqiptare përdorte ndërmjetës dhe dokumente të falsifikuara për të mbajtur drejtuesit kryesorë jashtë vëmendjes së autoriteteve. Plantacionet ruheshin dhe mirëmbaheshin nga persona me status qëndrimi të pasigurt.
Pas seancës së dhomës së këshillimit të martën, dy të dyshuar u liruan me kushte – njëri shqiptar që punonte si mbledhës në plantacionin e Verviers dhe një burrë që kishte dhënë me qira objektin në Harelbeke. Prokuroria ka apeluar menjëherë vendimin për lirimin e tyre, duke kërkuar mbajtjen nën masë të plotë.


