Pas kritikave të kryeministrit Kurti, ambasada gjermane thirrje institucioneve: Respektoni pavarësinë e gjyqësorit

Kosovë&Rajon

Pas kritikave të kryeministrit Kurti, ambasada gjermane thirrje

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u ka bërë thirrje të martën forcave politike dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqësorin në përgjithësi, dy ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kritikoi gjykatën më të lartë për vendimet e saj të fundit. Në një njoftim për media, Ambasada gjermane tha se pavarësia e gjyqësorit është gur themel i sundimit të ligjit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë ta respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqësorit në tërësi, si dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale”, tha ajo.

Reagimi vjen dy ditë pasi Kurti, i cili është lider i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, kritikuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kurti kritikoi Kushtetuesen për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, tha Kurti.

Kurti po fliste për vendimin më të fundit të Kushtetueses, e cila javën e kaluar vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re. Gjykata e vendosi këtë masë – që do të jetë në fuqi më 30 shtator – në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Partia më e madhe e serbëve të Kosovës beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.

Të hënën, Gjykata Kushtetuese tha se ndihet e shqetësuar me “deklarimet e pamatura” të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë. Përmes një reagimi, Kushtetuesja tha se pavarësia dhe paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”. Po ashtu të hënën, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, bëri thirrje që të respektohet pavarësia e gjykatësve “nga të gjithë, në çdo kohë”, duke theksuar se gjyqësori i pavarur është gur themel i sundimit të ligjit.

“Ndërhyrja e padrejtë përmes sulmeve personale që shënjestrojnë gjykatësit dhe prokurorët është gjithmonë e papranueshme”, shkroi ai në X.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion