Ministri reagon LIVE, Kikia i përgjigjet : Nga ta dimë që janë policë e jo rrëmbyes?

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i është përgjigjur me një shkrim në rrjetet sociale analistit Mentor Kikia, pasi ky i fundit u shpreh se dy civilë të paidentifikuar po rrëmbenin një qytetar në tubimin e sotshëm para Kuvendit.
Por, ministri shpjegon në reagimin e tij, se personat që shoqërojnë qytetarin e shfaqur në videon e publikuar janë punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë agjentë të Policisë Kriminale në një nga komisariatet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Lamallari shton se madje janë identifikuar persona të cilët, gjatë protestës, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin në krye të detyrës.
Z.Kikisë iu lexua kundërpërgjigjja e Lamallarit LIVE nga moderatorja Pranvera Borakaj, këtë të enjte në studion e QUO VADIS në Vizion Plus.
Analisti përsëriti edhe një herë se personat ishin pa uniformë, teksa po bënin akte dhune. Ai shtoi se ministri Lamallari duhet të dalë dhe të kërkojë falje për pamjet e rënda.
“Po sikur ata të ishin rrëmbyes? Ai akt policor duhet të ekspozohet. Ka pasur përplasje të dhunshme sot edhe me uniformë. Dhe unë e di që po i çojnë në komisariate, por kështu, pa uniformë, unë nuk e di kush janë. Ministri duhet të kërkojë ndjesë për ato pamje. Nga ta di unë që ata janë policë? Ministri mbase e di, por ne jo. Ku ta di unë që s’janë rrëmbyes? Po të dal unë nesër dhe ata të jenë irrituar nga shkrimi im, e të më tërheqin edhe mua zvarrë?”, tha Kikia në QUO VADIS.
“z. Kikia, Relativizimi i dhunës është një nga format më të shëmtuara të nxitjes së saj!
Brenda së njëjtës ditë, ju minimizuat një akt flagrant dhune ndaj një punonjësi policie, dukshëm i gjakosur pas goditjes në kokë nga individë të dhunshëm të cilët nuk mund të justifikohen kurrsesi në emër të kostove të një proteste. Aq më keq pastaj, kur vëmendja dhe përgjegjësia spostohet aty për aty tek mungesa e pajimeve mbrojtëse apo përgjegjësia e eprorëve. Kjo nuk është as më shumë dhe as më pak se fajësimi i ‘viktimës’! Thënë sa më sipër, i shtyrë vetëm nga detyrimi moral dhe ligjor për të sqaruar opinionin publik lidhur me tymnajën e ‘terrorit’ të ngritur nga ju përmes videos së shpërndarë, sqaroj se:
Personat që shoqërojnë qytetarin e shfaqur në videon e publikuar janë punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë agjentë të Policisë Kriminale në një nga Komisariatet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Nga analizimi i pamjeve filmike të administruara, janë identifikuar persona të cilët, gjatë protestës, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin në krye të detyrës. Si pasojë e këtyre sulmeve janë dëmtuar 6 punonjës policie, 3 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të rënda fizike.
Në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të ligjit, punonjësit e Policisë Kriminale kanë të drejtë të mbajnë në vëzhgim persona të dyshuar për përfshirje apo mbështetje të akteve të dhunshme gjatë tubimeve, si dhe, në momentet e përshtatshme operative, të kryejnë shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
Punonjësit e Policisë, në momentet e para të ndërhyrjes, i janë prezantuar personit të shoqëruar si agjentë të Policisë Kriminale.
Policia e Shtetit është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe ushtron veprimtarinë e saj vetëm brenda kuadrit të përcaktuar nga ligji.
Pretendimet për ushtrim “terrori”, të paraqitura në videon e publikuar, nuk qëndrojnë.
Punonjësit e Policisë kanë vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës dhe protokollet për menaxhimin dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve”, shkruan ministri Lamallari.


