Maqedonia e Veriut merr frymë lirisht pas 9 muajsh, asnjë viktimë nga Covid-19

Kosovë&Rajon

Maqedonia e Veriut merr frymë lirisht pas 9 muajsh, asnjë viktimë

Maqedonia e Veriut të dielën (13 qershor) nuk ka regjistruar asnjë viktimë me COVID-19 duke shënuar ditën e parë pa viktima që nga shtatori i vitit të kaluar. Maqedonia e Veriut që nga paraqitja e pandemisë ka pasur numrin më të madh të vdekjeve, jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë, krahasuar me numrin e popullsisë. Deri më 13 qershor 2021 në këtë vend janë regjistruar 5,471 vdekje, shumica prej të cilave në Shkup.

“Virusi është larg nga mposhtja, por kjo fitore e vogël na jep shpresë se po i afrohemi fundit për t’i dhënë fund agonisë. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë të respektojmë masat dhe mënyra e vetme për të zvogëluar numrin e viktimave është imunizimi i popullatës”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë gjatë 24 orëve janë regjistruar tetë persona të infektuar me koronavirusin e ri, që gjithashtu paraqet shifrën më të ulët në muajt e fundit sa i përket të sëmurëve me COVID-19. Numri i rasteve aktive në nivel të vendit arrin në 437 persona.

Të dhënat bazohen në testimin e 3,068 mostra në 12 laboratorët shtetërorë dhe privatë ndërkohë që, sipas njoftimit të Institutit të Shëndetit Publik, numri i personave të shtrirë në spitalet e vendit është 68. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është në pritje të një sasie më të madhe të dozave të vaksinave po pa saktësuar afatet, llojin dhe numrin e vaksinave.

Paraprakisht, ishte njoftuar se në fillim të qershorit do të arrinin 500 mijë vaksina kineze Sinovac. Javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 30 mijë vaksina si donacion nga Turqia. Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar 255 mijë persona ndërsa 448 mijë janë regjistruar për tu vaksinuar./REL

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion