Kosova për 4 vite pa kryeprokuror, Albulena Haxhiu dekreton drejtuesin e ri Zejnulla Gashi

Kosovë&Rajon

Kosova për 4 vite pa kryeprokuror, Albulena Haxhiu dekreton drejtuesin e ri

Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnulla Gashin në postin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit. Presidentja në detyrë e Kosovës e ka konfirmuar lajmin përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Sot prita në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i dorëzova dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.

Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, shkruan ajo.

Në procesin e përzgjedhjes, pas intervistimit të zhvilluar më 1 korrik 2026, Zejnulla Gashi mori vlerësimin më të lartë me 91.6 pikë. Pas tij u renditën Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu me 86.3 pikë.

Emërimi i Gashit vjen pasi Kosova kishte qenë pa kryeprokuror për gati katër vjet. Ai do të jetë kryeprokuror për një mandat shtatëvjeçar.

ME TE LEXUARAT