Burri u vra dhe u gropos në një arë, Prokuroria në Kosovë jep detaje nga ngjarja e rëndë në Lipjan

Një ngjarje e rëndë ndodhi para dy ditësh në fshatin Baicë të Lipjanit, ku një person u gjet i vdekur dhe i varrosur fshehurazi në një arë të fshatit. Viktima është identifikuar si Enver Bajraktari, i cili më parë kishte rezultuar i zhdukur, sipas raportimeve të familjarëve.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, konfirmoi për Telegrafin se më 5 gusht 2025 u bë identifikimi i plotë i trupit dhe u krye autopsia. Hetimet janë në fazë intensive, por nuk jepen detaje të mëtejshme për momentin. Policia ka intervistuar katër dëshmitarë lidhur me ngjarjen.
Familjarët e viktimës kanë hapur dyert për ngushëllime. Një nga të afërmit, Besnik Bajraktari, rrëfeu se Enver Bajraktari kishte dalë një ditë para zhdukjes për të kullosur lopën dhe nuk ishte kthyer më.
“Rreth orës 16:00, familjarët lëshuan lopën për kullotje, por ajo u kthye në shtëpi rreth orës 17:30-18:00 pa çobanin. Provuan ta kontaktonin, por pa sukses. Pyetën edhe miqtë e afërt, por nuk e gjetën askund. Më pas, filloi kërkimi nga i gjithë fshati,” tregoi Besniku.
Ai shtoi se kërkimet u fokusuan në lokacionin pranë shtëpisë së vëllait të viktimës, ku u gjetën shenja zvarritjeje në kallamoq dhe dheu i sapo vendosur nën misër të mbjellë. Në atë vend u zbulua një varr i mundshëm. Kur varri u hap, brenda u gjet kufoma e viktimës.
Forenzika do të përcaktojë shkaqet e vdekjes, ndërkohë që Prokuroria konfirmoi se trupi ishte i freskët në momentin e gjetjes.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.


