Durrës/ Përshtatën dy apartamente për prostitucion, në pranga dy shtetase kineze dhe pronari i banesave

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Storm 5”, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive, që çoi në goditjen e një aktiviteti të paligjshëm të shfrytëzimit për prostitucion.
Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar, u arrestuan dy shtetase kineze, D. Sh., 54 vjeçe dhe S. Y., 40 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira dy apartamente (pa kontrata), të cilat më pas i kishin përshtatur për ushtrim prostitucioni.
Në pranga përfundoi gjithashtu shtetasi S. M., 39 vjeç, banues në të njëjtën lagje, pronar i apartamenteve, i cili i kishte dhënë ato me qira në mënyrë të paligjshme dhe kishte lehtësuar veprimtarinë kriminale.
Përveç të arrestuarve, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe dy shtetase të tjera kineze dhe pesë shtetas shqiptarë, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash, celularë, karta banke dhe sende të tjera që shërbejnë si prova materiale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se veprimtaria dyshohet të jetë e organizuar dhe me lidhje jashtë territorit shqiptar, pasi komunikimet përmes të cilave organizohej aktiviteti, bëheshin nëpërmjet një call center-i të huaj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e hetimeve, pasi dyshohet se ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të shfrytëzimit për prostitucion.


