KLGJ propozon shtimin e 102 gjyqtarëve në sistem, synon të ulë stokun prej vitesh të dosjeve gjyqësore

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkuar rritjen e numrit të gjyqtarëve, për të bërë të mundur uljen e dosjeve që ndodhen në stok.
Nga raportimet në medie mësohet se ky projektvendim i hedhur për konsultim publik ditën e sotme, është propozuar që vendi ynë të ketë 519 gjyqtarë të përhershëm, ndërsa aktualisht janë 417 të tillë.
Gjithashtu, mësohet se ky plan parashikon t’i kushtojë buxhetit të shtetit 14 mln euro çdo vit, ku parashikohet se organikës kombëtare duhet t’i shtohen 84 gjyqtarë të përhershëm, që do të shpërndahen në gjykatat e shkallëve të para dhe ato të apelit.
Mes të tjerash, është theksuar se numrin më të madh e merr shkalla e parë e gjyqësorit, 64 toga të zeza plus, me një vëmendje të posaçme në juridiksionin e përgjithshëm në Tiranë dhe Gjykatat Administrave, që shtohen me nga 18 gjyqtarë.
“44 prej tyre të shkojnë për juridiksionin e përgjithshëm, konkretisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë. Për juridiksionin administrativ propozohet shtimi me 18 vende, ku 16 i caktohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnje. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar propozohet shtimi me 2 vende”, thuhet në dokument.
Pjese nga dokumenti
Bëhet me dije se sipas planit, shtohen 20 vende në total, ku gjashtë prej tyre duhet të shkojnë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, 12 për Gjykatën Administrative të Apelit dhe 2 për shkallën e dytë të GJKKO-së.
Me prurjet nga Shkolla e Magjistraturës, nëse kërkesa miratohet, organika do të shkonte nga 417 në 501 gjyqtarë të përhershëm, e parashikuar të plotësohet deri në vitin 2030.
“Studimi evidenton nevojën për një kapacitet shtesë prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, për një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe të lidhur me trajtimin e një kategorie të përcaktuar çështjesh. Kjo masë synon të kontribuojë në reduktimin e stokut të akumuluar në këtë gjykatë”, thuhet në dokumentin që propozon projektvendimin. Propozohet një minimum planifikimi prej 336 punonjësish jogjyqtarë për 102 vendet e përhershme, si dhe 56 punonjës për paketën e përkohshme prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë.
Gjithashtu, studimi thekson se shtimi i pozicioneve të reja duhet të shoqërohet me sigurimin e infrastrukturës së nevojshme ndërtimore dhe teknologjike të nevojshme për funksionimin efektiv të gjykatave. Për këtë qëllim, rekomandohet hartimi i një plani të posaçëm investimesh”, thuhet në dokument.



