I kërkuar për tentativë vra'sjeje në Shqipëri dhe shfrytëzim prostit'ucioni në Francë, flet shqiptari: Viktima jam unë

Një shtetasi shqiptar, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni në Francë dhe i kërkuar nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasjeje, i është refuzuar kërkesa për lirim nga paraburgimi. Vendimi u mor më 19 tetor nga Gjykata e Shkallës së Parë në La Rochelle, e cila vendosi që ai të qëndrojë në burg deri në shqyrtimin e mëtejshëm të çështjes.
Burri, rreth të 30-ave, ishte arrestuar dhe ishte vendosur në paraburgim në burgun e Rochefort-it më 16 tetor. Në seancën e zhvilluar tri ditë më vonë, gjykata nuk shqyrtoi akuzat në themel, por vetëm kërkesën e tij për t'u liruar. Çështja pritet të gjykohet më 2 dhjetor.
Sipas mediave franceze, shqiptari qëndronte në Francë në mënyrë të parregullt dhe përdorte dokumente të falsifikuara, duke u paraqitur me identitet italian. Këtë fakt ai e ka pranuar gjatë marrjes në pyetje nga policia.
Ndaj tij rëndon edhe një urdhër-arresti ndërkombëtar, i lëshuar nga Interpoli më 13 dhjetor 2016, së bashku me një kërkesë për ekstradim. Ai kërkohet nga autoritetet shqiptare për një rast të dyshuar të tentativës së vrasjes në Shqipëri.
I pandehuri i mohon akuzat dhe pretendon se bëhet fjalë për një gabim. Ai kundërshton gjithashtu përfshirjen në shfrytëzim prostitucioni, për të cilin dyshohet se ka vepruar në La Rochelle nga 1 janari 2023 deri më 7 tetor 2026.
Sipas dosjes, personi i dyshuar si viktimë është një grua me të cilën shqiptari bashkëjeton që prej vitit 2022. Para gjykatës, ai deklaroi se nuk kishte dijeni që ajo ushtronte prostitucion dhe mohoi se e kishte shfrytëzuar.
“Viktima jam unë, jo ajo”, u shpreh ai gjatë seancës, duke pretenduar se gruaja kishte pasur të njëjtën sjellje edhe në marrëdhëniet e mëparshme. Ai shtoi se nuk dëshironte të kishte më lidhje me të.
Ndërkohë, autoritetet franceze po analizojnë telefonin celular të të pandehurit, në përpjekje për të gjetur prova të tjera. Hetuesit po punojnë gjithashtu për identifikimin e një gruaje të dytë, e cila dyshohet se është shfrytëzuar për prostitucion në të njëjtin qytet.
Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues, Emmanuel Planque, bëri të ditur se kjo grua ende nuk është identifikuar.
Prokuroria kërkoi që shqiptari të mos lirohej, duke argumentuar se qëndrimi i tij në Francë është i paligjshëm dhe se, në rast lirimi, autoritetet nuk do të kishin garanci për vendndodhjen e tij. Prokurorja Dominique-Émilie Chevalier theksoi gjithashtu se ai kërkohet për tentativë vrasjeje në vendin e tij.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi vazhdimin e paraburgimit. I pakënaqur me vendimin, shqiptari pretendoi në fund të seancës se ishte kërcënuar edhe brenda burgut, duke deklaruar se kishte video që e provonin këtë.


