Gazeta austriake Kurier: Rama viziton Vjenën mes protestave që kërkojnë dorëheqjen e tij

Ndërsa Shqipëria është përfshirë nga kaosi dhe protestat masive kundër qeverisë, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Vjenë ditën e hënë. E përditshmja e njohur austriake, “Kurier”, i ka kushtuar një artikull të veçantë situatës politike në Shqipëri dhe udhëtimit të kreut të ekzekutivit shqiptar.
Sipas gazetës austriake, kjo vizitë shihet si një “pushim i mirëpritur” për Ramën nga revolta popullore që prej muajsh ka përfshirë vendin, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij pas 13 vitesh në pushtet.
“Për kryeministrin shqiptar, vizita në Vjenë të hënën do të jetë një pushim i mirëpritur nga protestat që prej muajsh ziejnë në vendin e tij. Për më tepër, një vizitë e shkurtër në Austri është gjithmonë si vizita e mirësjelljes te i afërmi i pasur – Austria është investitori i gjashtë më i madh i huaj në vend, në 2025 mes dy vendeve u tregtua më shumë se kurrë më parë,” shkruan e përditshmja austriake.
Më tej, “Kurier” nëliron peshën ekonomike të Austrisë në Shqipëri, duke përmendur praninë e kompanive me emër si Verbund, Strabag, Raiffeisen Bank, Vienna Insurance Group apo CINEPLEXX, si dhe rritjen e turizmit.
Pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve tregtare, Austria mbetet një nga mbrojtëset më të zëshme të integrimit të Shqipërisë në BE, ku Tirana synon anëtarësimin brenda vitit 2030.
Sidoqoftë, gazeta vë në dukje kontrastin e fortë mes pritjes zyrtare në Vjenë dhe situatës kritike në rrugët e Shqipërisë, ku revolta e nisur nga mbrojtja e mjedisit u kthye në një lëvizje mbarëpopullore kundër regjimit.


