E dhu'nuan policët dhe i thyen këmbën, flet 19-vjeçari: S’kisha lidhje fare me protestën, po kaloja

Aktualitet

E dhu'nuan policët dhe i thyen këmbën, flet
Këmba e thyer e një 19-vjeçari, ndërsa kryeqyteti ishte përfshirë nga vala e një proteste të dhunshme, ishte ngjarja që kulmoi mbrëmjen e kësaj të marte. Report Tv solli pamjet pranë Parlamentit, ku shihen katër efektivë policie që e mbajnë të riun nga gjymtyrët për ta transportuar drejt spitalit, ndërsa këmba e djathtë i lëkundet. Vajzat që filmojnë skenën dëgjohen të thonë se të riut i ka rënë të fikët dhe se i është thyer këmba.

I riu, Ledion Balla ka pësuar një frakturë në këmbë, në pjesën e kërcirit, dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës. Rrethanat se si është dëmtuar mbeten ende të paqarta.

Shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës, Agustin Suma, tha se 19-vjeçari ka mbërritur në gjendje të stabilizuar dhe se fraktura e tij është dëmtimi më i rëndë i trajtuar pas protestës.

“Dëmtimi më i rëndë është një frakturë e kërcirit të djathtë që do të trajtohet sipas procedurës. Ritheksoj që nuk ka asnjë pacient të intubuar dhe asnjë humbje jete", tha ai. 

Gjatë vizitës në Spitalin e Traumës, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, takoi edhe 19-vjeçarin i cili tha se nuk kishte marrë pjesë në protestë, por kishte qenë vetëm kalimtar i rastit.

Spahiu: Ishe duke kaluar aty?

19-vjeçari: Po, isha duke kaluar, s’kam lidhje me protestën fare.

Pas publikimit të videos, Policia e Shtetit urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të katër efektivëve që shfaqen në pamje duke transportuar të riun, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e dëmtimit të 19-vjeçarit, ndërsa ndaj policëve të pezulluar ka nisur edhe një hetim disiplinor.

Por, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, që do të analizojë të gjitha veprimet e efektivëve, nga fillimi deri në përfundim të protestës 9-orëshe në Tiranë. 

"Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës", tha policia duke paralajmëruar se çdo efektiv që ka shkelur procedurat do të mbajë përgjegjësi.

ME TE LEXUARAT