Dustin Hoffman reagon për akuzat e ngacmimit seksual: Mund t’i kem bërë disa gra të ndihen në siklet

Aktori i njohur amerikan Dustin Hoffman ka reaguar sërish për akuzat e ngacmimit seksual që u ngritën ndaj tij në vitin 2017, duke mohuar se ka kryer veprime të tilla, por duke pranuar se sjellja e tij në të kaluarën mund t’i ketë bërë disa gra të ndihen të pakëndshme.
Deklaratat e tij janë bërë publike përmes librit autobiografik “Look at Me”, të publikuar më 10 nëntor, ku aktori 89-vjeçar rrëfen momente nga jeta personale dhe karriera e tij e gjatë në Hollywood.
Pa iu referuar drejtpërdrejt secilës prej akuzave të ngritura ndaj tij, Hoffman pranon se disa nga sjelljet e tij, veçanërisht rreth katër dekada më parë, mund të jenë perceptuar si të papërshtatshme.
“Jam i sigurt se në jetën time, veçanërisht rreth 40 vite më parë, mund t’i kem bërë disa gra të ndihen të pakëndshme. Por ‘të ndihesh në siklet’ është një gjendje emocionale subjektive. Ajo që për dikë mund të jetë vulgare dhe fyese, për dikë tjetër mund të jetë humoristike, çliruese apo edhe disi familjare”, shkruan aktori.
Flet për humorin e tij dhe lëvizjen #MeToo
Në kujtimet e tij, Hoffman i kushton vëmendje edhe humorit të tij provokues, duke e përshkruar veten si një person ekscentrik, të prirur ndaj shakave me nënkuptime seksuale.
Ai përmend edhe një koment të aktorit Bill Murray, i cili dikur e kishte përshkruar humorin e tij si një përzierje të sharmit të modës së vjetër me batuta pikante.
Megjithatë, Hoffman këmbëngul se humori dhe flirtimi nuk duhet të ngatërrohen me detyrimin e dikujt për të bërë diçka kundër dëshirës së tij.
Aktori ndalet gjithashtu te lëvizja #MeToo, e cila mori përmasa globale në vitin 2017, duke thënë se e kishte konsideruar të rëndësishme përballjen me sjelljet e papërshtatshme në industrinë e argëtimit.
“Kur filloi të përhapej në internet dhe në të gjithë Hollywood-in nisi një proces llogaridhënieje, mendova se ishte diçka shumë e mirë. E dija se shumë gra në industrinë time kishin toleruar shumë gjëra për një kohë shumë të gjatë”, shkruan ai.
Hoffman shton se nuk e ka konsideruar kurrë veten një person që do të përfitonte seksualisht nga dikush që nuk dëshironte një gjë të tillë.
Gjashtë gra e akuzuan në vitin 2017
Në vitin 2017, gjashtë gra ngritën akuza ndaj aktorit, të cilat përfshinin ngacmim seksual, sjellje të pahijshme dhe sulm seksual.
Tri prej tyre folën për revistën “Variety”, duke rrëfyer përvojat e tyre me Hoffman.
Njëra prej grave pretendoi se ishte ngacmuar kur ishte vetëm 17 vjeçe dhe punonte si asistente produksioni gjatë shfaqjes teatrale “Death of a Salesman”, në vitin 1985.
Një tjetër, e cila kishte punuar në të njëjtin produksion, e akuzoi aktorin për prekje të papërshtatshme dhe sulm seksual, ndërsa një grua e tretë pretendoi se Hoffman i kishte bërë një propozim seksual gjatë një takimi pune.
Në atë kohë, aktori kishte kërkuar publikisht falje ndaj njërës prej grave që e akuzuan. Megjithatë, avokati i tij i kishte cilësuar disa prej pretendimeve si shpifëse.
Sipas raportimeve të publikuara në atë kohë, ndaj Hoffman nuk u ngritën akuza penale për këto pretendime.
“M’u deshën dekada për të kuptuar se flirtimi me çdo grua nuk ishte në rregull”
Një nga pjesët më personale të librit lidhet me reflektimin e aktorit mbi sjelljen e tij ndaj grave dhe ndikimin që ajo mund të ketë pasur tek të tjerët.
Hoffman pranon se iu desh një kohë e gjatë për të kuptuar se flirtimi i vazhdueshëm dhe shakatë me përmbajtje seksuale mund të perceptoheshin si të papërshtatshme.
“M’u deshën vite, ndoshta dekada, për të kuptuar se flirtimi me çdo grua që takoja nuk ishte në rregull”, shkruan ai.
Aktori i referohet gjithashtu bashkëshortes së tij, Lisa Hoffman, me të cilën është martuar që prej vitit 1980, duke theksuar se ajo e ka ndihmuar të kuptojë më mirë mënyrën se si burrat dhe gratë i perceptojnë situatat.
Ai tregon se bashkëshortja e njihte mirë karakterin dhe humorin e tij, por pranon se kjo nuk do të thotë se edhe gratë e tjera duhej ta perceptonin në të njëjtën mënyrë.
“E di që jam i padëmshëm, ajo e di që jam i padëmshëm, por nëse nuk do të më kishit takuar kurrë, a do ta dinit këtë?”, shkruan ai.
Në një tjetër pjesë, Hoffman ngre edhe pyetjen nëse në të kaluarën i kishte munguar ndjeshmëria për të kuptuar se si ndiheshin njerëzit përreth tij.
“A është e mundur që më ka munguar ndjeshmëria? Që kam qenë aq i përqendruar te vetja, saqë nuk kam kuptuar gjithmonë se çfarë ndienin njerëzit përreth meje? Sigurisht. Sigurisht”, pranon aktori.
Përmes librit “Look at Me”, ylli i “Rain Man” ndan reflektimet e tij mbi sjelljen, marrëdhëniet dhe gabimet e së kaluarës, ndërsa rikthen në vëmendje një kapitull të debatueshëm të karrierës së tij në Hollywood.
Dustin Hoffman reagon për akuzat e ngacmimit seksual: Mund t’i kem bërë disa gra të ndihen në siklet
Komisioni për Reformën Zgjedhore, Enno Bozdo: Prezenca, detyrim ndaj opinionit publik! Duam kthimin e koalicioneve! Nëse nuk ndryshojnë rregullat e lojës, rezultati nuk ndryshon
“Udhëheqja e re serbe të njohë realitetin, Kosova është shtet i pavarur” – Kurti: Beogradi të heqë dorë nga fushata kundër njohjes ndërkombëtare, të dorëzojë Radoiçiçin
I harruar nga shteti në një banesë të rrënuar, historia e 17-vjeçarit që u gjobit me 5 mln lekë prek shqiptarët! Mblidhen 120 mijë paund përmes GoFundMe
Kongo dënon me vdekje 66 ushtarë, akuzohen për frikacakëri, kryengritje dhe mosbindje ndaj urdhrave


