Paketa fiskale, Rama: Rezultat i arritjeve, hedh batuta: Merrnim dhe Gonxhen si shofer, s’na dilnin llogaritë

Ndërsa fliste për paketën fiskale në Asamblenë e PS, Edi Rama tha se është rezultat i arritjeve dhe rritjes ekonomike, jo narrativave se erdhi për shkak të kthimit në ideologjinë e së majtës. Kryesocialisti tha se dëshira ka qenë gjithmonë dhe është shprehur, por mungonin mundësitë.
Madje, vijoi Rama, për të gjetur rrugëzgjidhje, konsultoheshin edhe me Blendi Gonxhen që e quajti “shoferi më i sigurt i shumicës qeverisëse”, por llogaritë nuk përputheshin.
“Ne kemi bërë diçka që jo 10 vjet përpara, por edhe 1 vit më parë nuk e bënim dot dhe nuk është e vërtetë përralla që Edi Rama u kthye te e majta biologjike. Ne kemi bërë një paketë fiskale që është rezultat i arritjeve, jo i dëshirës e lëre më ideologjisë biologjike. E kemi thënë që duam të ulim TVSH për shportën, por s’e kemi bërë derisa u krijua mundësia sepse buxheti duhet të financohet, investimet të vazhdojnë, pagat të rriten. Si i heq ti 150 mln euro nga arka dhe i kalon te xhepi i qytetarit?
I heq duke i zëvendësuar dhe mundësisht shtuar, nga ekonomia. E njëjta gjë me uljen e çmimit të naftës në pompë. E kemi thënë shumë herë, por në kushtet kur kostoja e rritur e jetesës dhe presioni i madh i njeriut ka nisur të lëndojë psikologjikisht raportin e tij me shtetin, është masë që duhet bërë.
Diskutimi ka filluar para 2 vjetësh, kthehu këtej e andej, merrnim edhe Blendi Gonxhen si shoferi më i sigurt i gjithë kësaj shumice qeverisëse, e kam fjalën për shofer, shofer, jo shofer në kuptimin e timonit Gonxhe, mos u ngatërro. Nuk dilte llogaria! Janë 450 mln euro të tjera që nëse i heq te pompa duhet t’i nxjerrësh ndryshe”, tha Rama.

