“Çfarë na bënë o Zot, do takoj kryeministrin”, dalin mesazhet mes Ergys Agasit e Vlora Hysenit: Do përfundojmë keq shpirt…

“Çfarë na bënë o Zot”, “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”, “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt” janë disa prej mesazheve që, sipas SPAK, dëshmojnë natyrën e komunikimit mes drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi.
Sipas të dhënave nga dosja hetimore, të bëra publike nga Vizion Plus, në harkun kohor të dy muajve janë evidentuar më shumë se 130 telefonata dhe qindra mesazhe mes Hysenit dhe Agasit.
SPAK pretendon se nga përmbajtja e komunikimeve del një lidhje personale dhe e vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë periudhës kur Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia.
Në disa prej bisedave, sipas organit të akuzës, Vlora Hyseni shfaqet e përfshirë drejtpërdrejt në situatën e Agasit përballë organeve të drejtësisë.
Në një prej komunikimeve, nga numri i saj, Hyseni i dërgon Agasit mesazhin: “Çfarë na bënë o Zot”. Në një tjetër shkruan: “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”.
Mesazhet vijojnë me shprehje të tjera që, sipas SPAK, tregojnë përfshirjen e saj në situatën që po kalonte Agasi: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, ndërsa në një tjetër komunikim shkruhet: “Të gjithë ne”. Në një tjetër mesazh thuhet: “Do përfundojmë keq, shpirt”.
Por komunikimet, sipas dosjes, nuk lidhen vetëm me çështjen e Agasit. Në biseda të tjera, Hyseni i tregon atij edhe për takime me zyrtarë të lartë të shtetit.
“Po më presin me shku te km… Jo mo zemër, unë një orë nuk rri më shumë me atë”, shkruan ajo në një prej mesazheve, ndërsa më 24 gusht 2026 i dërgon: “Nesër duhet ta takoj km në 8:30”.
Në vijim, sipas materialeve të hetimit, Hyseni i jep Agasit informacion edhe për lëvizjet e saj dhe takimet me partnerë ndërkombëtarë: “Më doli një takim urgjent… Me sauditët… Kthehem nesër në Ks prapë”.
Një tjetër komunikim i datës 19 gusht 2026, sipas SPAK, lidhet me përpjekjet e Hysenit për të ndërhyrë edhe në nivele të tjera. “Skënderi më thirri me u taku të hënën… Të shpresojmë që ka porosit km…”, thuhet në mesazh. Në dosje, “Skënderi” identifikohet si Skënder Hita, në atë kohë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Përveç komunikimeve, SPAK pretendon se gjatë hetimit ka siguruar edhe të dhëna sekrete të Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilat i konsideron pjesë të provave në këtë çështje.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, SPAK ka kërkuar masë arresti ndaj drejtueses së SHISH, duke e akuzuar për “Nxjerrjen e sekretit shtetëror” dhe “Përkrahjen e autorit të krimit të organizuar”.
Të gjitha këto janë pretendime dhe vlerësime të organit të akuzës të paraqitura në kuadër të hetimit dhe nuk përbëjnë një vendim përfundimtar gjyqësor mbi fajësinë e personave të përfshirë./vplus