Zelenski i hapur për takim me Putinin: “Jam gati për çdo format, pa kushte”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin “në çdo format”, duke theksuar se dialogu është i domosdoshëm për t’i dhënë fund luftës.
Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Zelenski tha se Rusia ka propozuar një takim dypalësh me Ukrainën, i cili më pas mund të pasohet nga një tryezë trepalëshe.
“Nuk dua të vendos kushte, sepse atëherë edhe Putini do të vinte me kushtet e tij. Më mirë të takohemi pa parakushte dhe të shohim si mund të ecim drejt përfundimit të luftës”, tha kreu i shtetit ukrainas.
Megjithatë, ai pranoi se ende nuk ka detaje për takimin dypalësh të propozuar, duke shtuar se pjesëmarrja në formatin trepalësh do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet takimi i parë.


