Tentoi të kontrabandonte mallra nga Greqia, në pranga 50-vjeçari në Kapshticë

Një 50-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare në pikën e kalimit të Kapshticës, pasi tentoi të kontrabandonte mallra nga Greqia drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve në hyrje të vendit, shërbimet kaluan për kontroll të detajuar një autobus me drejtues shtetasin E. N., 50 vjeç, banues në Korçë. Në bagazhin e automjetit u gjetën dy thasë me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra të kontrabanduara.
Sendet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa drejtuesi i mjetit u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


