Zbulohet banka fantazmë në Prato/ Qarkullonte deri në 100 milionë euro në vit nga droga — klane shqiptare në listë

Një bankë e paligjshme me kapacitet të frikshëm financiar është neutralizuar nga autoritetet italiane në qytetin e Pratos. Struktura kriminale qarkullonte ndërmjet 80 dhe 100 milionë euro në vit, të lidhura me trafikun e drogës, tregtinë e paligjshme të mallrave dhe emigracionin ilegal të shtetasve kinezë.
Operacioni u drejtua nga Drejtoria Antimafia e Firences dhe Prokuroria e Pratos, të cilat zbuluan një organizatë me nivel të lartë profesionalizmi, e ndarë në tre degë kriminale: njëra për pastrimin e të ardhurave nga droga, tjetra për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, dhe e treta për futjen e paligjshme të emigrantëve kinezë në Itali.
Instrumenti kryesor i operacionit ishte sistemi "hawala" një metodë islamike e transferimit të parasë që nuk lë gjurmë transaksionesh. Në tregun kinez njihet si "chop-shop". Falë kësaj metode, paratë lëviznin pa u zbuluar ndërmjet Italisë, Spanjës, Francës dhe Portugalise, nëpërmjet një rrjeti korrierësh të organizuar me kujdes.
Për të errësuar edhe më tej gjurmët, organizata shfrytëzonte flukset monetare të padeklaruara të kompanive kineze të industrisë tekstile "fast fashion" në distriktin e Pratos, duke i ndërthurur me marrëdhëniet tregtare legjitime me qendrat prodhuese në Spanjë.
Hetimet nxorën në dritë lidhje të ngushta mes drejtuesve të kësaj "banke fantazmë" dhe grupeve kriminale shqiptare, të përfshira në pastrimin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Gjykata njohu edhe rënduesen e favorizimit mafioz, pasi nga ky sistem dyshohet se kanë përfituar klani Briganti i Leçes nga Sacra Corona Unita, grupi mafioz Fiare-Razionale-Gasparro nga Vibo Valentia, si dhe klani kamorrist Aquino-Annunziata.
Dega e tretë e organizatës merrej me trafikun e shtetasve kinezë drejt Italisë. Emigrantët strehoheshin fillimisht në hotele kineze në Beograd, vend pa vizë për kinezët dhe jashtë zonës Schengen, dhe më pas transportoheshin nëpërmjet Hungarisë e Sllovenisë drejt Pratos, Torinos dhe Sommacampagnës pranë Veronës. Çmimi për çdo emigrant të trafikuar ishte rreth 9.500 euro.
Gjykatësi i hetimeve paraprake urdhëroi sekuestrimin e 60 milionë eurove dhe vendosi 41 masa sigurie — 17 prej të cilave arrestime me burgim dhe 16 të tjera në arrest shtëpie.


