Vdekja e foshnjës 13-muajshe në Britani/ Gjykata: Vdiq pas torturës dhe abuzimit seksual nga një çift homoseksualësh që e kishin adoptuar

Një ngjarje tronditëse po gjykohet në Britania e Madhe, ku foshnja 13-muajshe Preston Davey dyshohet se u vra pas muajsh keqtrajtimi fizik dhe seksual nga njëri prej prindërve adoptues në Blackpool.
Sipas prokurorisë, fëmija ishte vendosur për birësim në prill të vitit 2023 te Jamie Varley dhe John McGowan-Fazakerley, kur ishte vetëm nëntë muajsh. Më pak se katër muaj më vonë, ai u dërgua në spital në gjendje arresti kardiak dhe u shpall i vdekur.
Gjykata dëgjoi se shkaku i vdekjes ishte bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, që mund të jetë shkaktuar nga mbytja ose vendosja e një objekti në gojë. Prokuroria pretendon se përgjegjës për vdekjen ishte Jamie Varley, i cili përballet me akuza të shumta, përfshirë vrasje, sulm seksual, mizori ndaj fëmijës dhe posedim të materialeve të pahijshme.
Sipas hetimeve, gjatë muajve që Preston jetoi me çiftin, ai kishte pësuar të paktën 40 dëmtime traumatike, mes tyre mavijosje të shumta, lëndime të brendshme dhe fraktura në krah.
Partneri tjetër, John McGowan-Fazakerley, akuzohet se lejoi vdekjen e fëmijës dhe nuk e mbrojti atë, edhe pse prokuroria pretendon se duhej të ishte në dijeni të rrezikut që i kanosej foshnjës.
Të dy të pandehurit i kanë mohuar akuzat, ndërsa procesi gjyqësor vijon. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik britanik për shkak të natyrës së rëndë të abuzimeve dhe dështimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.


