Avioni përplaset me një zog dhe bën ulje emergjente pak minuta pas nisjes nga Madridi

Bota

Avioni përplaset me një zog dhe bën ulje emergjente pak minuta

Një avion Airbus A321XLR i kompanisë ajrore Iberia është detyruar të realizojë një ulje emergjente të dielën, pasi u përplas me një zog vetëm pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Madridit.

Avioni ishte nisur drejt aeroportit Orly në Paris, por incidenti ndodhi në fazën fillestare të fluturimit, kur një zog u përplas me pjesën e përparme të avionit dhe më pas u përthith nga motori i majtë, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dëmtime të dukshme në trupin e avionit dhe konfirmojnë seriozitetin e përplasjes. Sipas burimeve, ky ishte një nga avionët më të rinj në flotën e Iberia-s.

Pilotët vepruan menjëherë, duke sinjalizuar emergjencën dhe duke ndërprerë fluturimin për t’u kthyer në aeroportin e nisjes. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional, ulja u realizua me sukses dhe pa pasoja për pasagjerët.

Autoritetet po hetojnë incidentin dhe pritet një raport zyrtar mbi gjendjen teknike të avionit dhe masat e sigurisë.

ME TE LEXUARAT