Fundoset anija me emigrantë në brigjet e Jemenit, 68 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur

Bota

Fundoset anija me emigrantë në brigjet e Jemenit, 68 të vdekur

Një tjetër tragjedi ka goditur rrugën detare të migrimit në Detin e Kuq. Një anije që transportonte migrantë nga Etiopia është fundosur pranë brigjeve të Jemenit, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 68 personave.

Ngjarja ndodhi më 4 gusht, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se nga 157 persona që ndodheshin në bord, vetëm 12 janë shpëtuar deri tani. Fati i dhjetëra të tjerëve mbetet i paqartë, ndërsa kërkimet vijojnë në një situatë të vështirë për shkak të kushteve të detit.

Sipas të dhënave, migrantët kishin nisur udhëtimin e tyre nga Xhibuti, me shpresën për të arritur në shtetet e Gjirit, në kërkim të një jete më të mirë. Kjo rrugë detare, e njohur për rrezikun ekstrem, përdoret prej mijëra migrantësh çdo vit, pavarësisht kushteve të rrezikshme dhe abuzimeve që i shoqërojnë këto udhëtime.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 462 vdekje në këtë itinerar. Fundosja e anijes në brigjet e Jemenit është një tjetër alarm për situatën dramatike që përballojnë migrantët në këtë korridor detar.

Autoritetet vendase dhe organizatat ndërkombëtare po punojnë për të mbledhur informacione të plota mbi incidentin dhe për të ndihmuar të mbijetuarit. Tragjedia rikthen vëmendjen tek mungesa e sigurisë, trafikimi i qenieve njerëzore dhe nevoja për masa urgjente ndërkombëtare.

ME TE LEXUARAT