Udhëtoi me avionin e qeverisë për koncertin e të dashurës, zyrtari i lartë i FBI-së shkarkohet nga detyra

Bota

Udhëtoi me avionin e qeverisë për koncertin e të

Një zyrtar i lartë i FBI-së me 27 vite përvojë, Steven Palmer, është shkarkuar nga detyra pasi drejtori i FBI-së, Kash Patel, thuhet se u zemërua nga raportimet mediatike që zbuluan se ai kishte përdorur një avion qeveritar për të udhëtuar dhe parë të dashurën e tij, këngëtaren Alexis Wilkins, teksa këndonte himnin kombëtar gjatë një ndeshje mundjeje.

The Guardian shkruan se Palmer, i cili kishte punuar në FBI që nga viti 1998, ishte kreu i grupit të reagimit ndaj incidenteve kritike, një njësi që merret me kërcënimet e mëdha për sigurinë dhe menaxhon flotën ajrore të agjencisë. Ai është drejtuesi i tretë i kësaj njësie që shkarkohet që kur Patel mori drejtimin e FBI-së në shkurt, gjatë administratës së dytë të Trump-it.

Sipas Bloomberg Law, tre burime të paidentifikuara u shprehën të habitura nga shkarkimi, duke qenë se oraret e fluturimeve të Patel-it ishin publike dhe të gjurmueshme në internet. Vetë Patel kishte postuar foto me Wilkins, një ditë pas performancës së saj.


Pas publikimeve mediatike, Patel u zemërua dhe Palmer u përball me një ultimatum: të jepte dorëheqjen menjëherë ose do të shkarkohej. Vendimi u bë zyrtar të premten.

Të dielën, Patel publikoi një deklaratë të gjatë në platformën X, duke e quajtur “të turpshme” sulmin ndaj jetës së tij private dhe ndaj Alexis Wilkins, të cilën e cilësoi si “patriote të vërtetë dhe partnere në jetë”. Ai kritikoi edhe “aleatët e supozuar” për heshtjen e tyre, duke shtuar: “Heshtja juaj flet më shumë se urrejtja e klikimeve”.

Zëdhënësi i Patel-it, Ben Williamson, tha se drejtori i FBI-së është i detyruar të paguajë një pjesë të shpenzimeve për udhëtimet private me avion qeveritar dhe se Patel i ka kufizuar ndjeshëm udhëtimet personale krahasuar me paraardhësit e tij: Chris Wray dhe James Comey.

Ironikisht, Patel kishte kritikuar ashpër Wray për përdorimin e avionëve qeveritarë për qëllime personale, duke e quajtur “#GangsterQeveritar” dhe duke e akuzuar për shpërdorim të fondeve publike.

Shkarkimi i Palmer-it e bën atë të tretin që largohet nga drejtimi i grupit të reagimit kritik nën drejtimin e Patel. Wes Wheeler u shkarkua në mars, dhe Brian Driscoll në gusht. Driscoll tani ka paditur administratën Trump për shkarkim të padrejtë, duke pretenduar se u largua për mungesë besnikërie ndaj presidentit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion