Trump: Marrëveshja për armëpushimi dyjavor, fitore totale dhe e plotë

Bota
Trump: Marrëveshja për armëpushimi dyjavor, fitore totale dhe e

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja për armëpushim dyjavor me Iranin përbën një “fitore totale dhe të plotë”, duke e cilësuar situatën si një hap drejt paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump e përshkroi zhvillimin si “një ditë e madhe për paqen botërore”, duke shtuar se edhe Irani “dëshiron që kjo të ndodhë” dhe se të gjitha palët janë të lodhura nga përshkallëzimi i konfliktit.

Ai bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në menaxhimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për eksportet globale të naftës, duke paralajmëruar “shumë veprime pozitive” dhe përfitime të mëdha ekonomike.

“Do të ketë përfitime të mëdha ekonomike. Irani mund të nisë procesin e rindërtimit”, ka shkruar Trump, duke shtuar se SHBA-ja do të furnizojë rajonin me ndihma dhe do të monitorojë nga afër zbatimin e marrëveshjes.

Në një prononcim për agjencinë AFP, ai e përforcoi qëndrimin e tij duke thënë: “Fitore totale dhe e plotë. 100 për qind. Pa asnjë dyshim”.

“Kemi një marrëveshje me 15 pika, nga të cilat shumica janë dakorduar. Do të shohim çfarë ndodh. Do të shohim nëse realizohet”, i tha tutje Trump AFP-së.

Trump po ashtu theksoi se çështja e materialeve bërthamore të Iranit do të përfshihet në çdo marrëveshje paqeje.

“Kjo do të trajtohet në mënyrë të përkryer, përndryshe nuk do të kisha rënë dakord”, shtoi ai, pa dhënë detaje konkrete se çfarë do të ndodhë me uraniumin.

Trump tha se besonte që Kina kishte luajtur rolin e saj në sjelljen e Iranit në tryezën e negociatave.

“Kam dëgjuar që po”, tha Trump kur u pyet nëse Kina kishte qenë e përfshirë në shtyrjen e Teheranit drejt armëpushimit.

Ndërkohë, sipas të dhënave nga firma analitike Kpler, rifillimi i lundrimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit mund të mundësojë eksportin e sasive të mëdha të naftës që aktualisht janë të bllokuara në rajon, përfshirë rreth 130 milionë fuçi naftë të papërpunuar dhe 46 milionë fuçi produkte të rafinuara në afro 200 cisterna.

Trump e përmbylli mesazhin e tij duke shprehur besimin se zhvillimet e fundit mund të hapin rrugën për “Epokën e Artë të Lindjes së Mesme”.

ME TE LEXUARAT