Tragjedi në brigjet e Indonezisë/ Shpërthen në flakë trageti me 280 persona

Bota

Tragjedi në brigjet e Indonezisë/ Shpërthen në flakë

Një ngjarje dramatike ka tronditur Indonezinë këtë të dielë, pasi një traget pasagjerësh me qindra njerëz në bord u përfshi nga flakët në det të hapur pranë ishullit Sulawesi. Të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 280 janë shpëtuar mes panikut dhe detit të trazuar.

Trageti KM Barcelona 5, që udhëtonte nga ishulli Talaud drejt kryeqytetit të provincës së Sulawesi Verior, Manado, u përfshi papritur nga një zjarr i fuqishëm në afërsi të zonës detare Talise.

Komandanti i Flotës Detare të Indonezisë, nënadmirali Denih Hendrata, konfirmoi se në vendngjarje janë dislokuar tri anije luftarake dhe se operacioni i shpëtimit vijon me intensitet.

Sipas Hendrata, deri më tani janë evakuuar 284 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, ndërsa dhjetëra të tjerë po kërkohen ende. Pjesë e aksionit të shpëtimit janë bërë edhe peshkatarët vendas, të cilët ndihmuan në kapjen e të mbijetuarve që lundronin me jelekë shpëtimi drejt ishujve përreth në kushte detare të vështira.

Ndër viktimat e konfirmuara është edhe një grua shtatzënë. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një numër të saktë të personave që ndodheshin në bord në momentin e ngjarjes, dhe për momentin nuk raportohen të plagosur.

Pamjet e publikuara nga Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit janë rrëqethëse: pasagjerë të tmerruar hidhen në det për të shpëtuar, ndërsa flakët portokalli dhe tymi i zi mbulojnë anijen që digjet.

Shkaku i zjarrit është ende i paqartë, por një hetim është hapur. Autoritetet kanë konfirmuar se prioritet mbetet evakuimi dhe gjetja e të mbijetuarve.

ME TE LEXUARAT