Skandali Epstein: Viktimat padisin SHBA-në dhe Google për publikimin e të dhënave personale

Viktimat e skandalit të Epstein kanë paditur Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Google, pasi në janar të këtij viti Departamenti i Drejtësisë amerikan publikoi miliona dosje online që zbulojnë identitetin e rreth 100 personave.
Në janar, departamenti publikoi më shumë se tre milionë dosje që lidhen me hetimin mbi ndërmjetësin amerikan, duke përfshirë lidhjet e tij me figura të shquara.
Këto dokumente përfshinin emrat e viktimave, të cilat duhej të mbeteshin anonime.
Sipas padisë, e parë nga AFP dhe depozituar në një gjykatë në San Francisco, Departamenti i Drejtësisë “zbuloi identitetin e rreth 100 viktimave të të dënuarit për krime seksuale, duke publikuar informacionet e tyre personale dhe duke i ekspozuar ato për të gjithë botën”.
“Edhe pasi qeveria pranoi se kjo publikim shkelte të drejtat e viktimave dhe hoqi informacionet, platformat online si Google i kanë ripublikuar ato herë pas here, duke refuzuar kërkesat e viktimave për t’i fshirë”, thonë paditësit. Sipas padisë, Google vazhdon të shfaqë informacionet personale të viktimave në rezultatet e kërkimit dhe në përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Gazetarët e New York Times gjetën gjithashtu në këto arkiva dhjetëra foto të personave të zhveshur, ku fytyrat e tyre ishin të dukshme.
Jeffrey Epstein u arrestua dhe u akuzua në korrik 2019 për shfrytëzim seksual të të miturve dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Ai u gjet i vetëvarur në qelinë e tij më 10 gusht 2019, ndërsa po priste gjykimin. Autopsia konkludoi se ishte vetëvrasje.
Ai ishte akuzuar më parë, mbi dhjetë vjet më parë në Florida, për trafik seksual dhe tërheqje të të miturve për qëllime prostitucioni. Në 2008 ai pranoi fajin dhe negocoi një dënim të favorshëm prej 13 muajsh.
“Viktimat tani po përballen me një traumë të re. Të panjohur i telefonojnë, u dërgojnë email, rrezikojnë sigurinë e tyre fizike dhe i akuzojnë se janë bashkëpunëtorë të Epstein, kur në të vërtetë ishin viktimat e tij,” thuhet në padi./Lajmi i Fundit


