Si fitoi Pakistani një rol udhëheqës në bisedimet e paqes SHBA-Iran

Bota

Si fitoi Pakistani një rol udhëheqës në bisedimet e paqes

Pakistani po përgatitet për një moment historik, pasi ka arritur të bëhet vendi që do të presë, nëse nuk ka të papritura, bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të Shtunën e Madhe (11/4).

Me ndihmën e Turqisë dhe Egjiptit, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe shefi i fuqishëm i ushtrisë, Asim Munir, kanë arritur të bashkëpunojnë me të gjitha palët.

Së fundmi, zëvendëskryeministri Ishaq Dar udhëtoi urgjentisht në Pekin dhe priti ministrat e jashtëm të Turqisë, Arabisë Saudite dhe Egjiptit për të diskutuar një rrugëdalje nga konflikti, sipas raportimeve të Sky News.

Që nga fillimi i luftës, Pakistani ka marrë rolin e ndërmjetësit, falë marrëdhënieve të mira me të gjitha palët e përfshira.

Udhëheqësit e tij kanë fituar edhe vlerësimin e Donald Trump, i cili e ka propozuar dy herë për Çmimin Nobel për Paqen për rolin në shpëtimin e miliona jetëve duke i dhënë fund luftërave. Ata kanë nënshkruar gjithashtu statutin e “Këshillit për Paqen”, që synon të garantojë sigurinë, rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës në periudhën pas luftës.

Që nga fillimi i konfliktit, Islamabadi ka kërkuar ulje tensionesh dhe ka përdorur kanalet diplomatike për një zgjidhje paqësore.

Mosbesimi i Iranit ndaj vendeve arabe dhe atyre të Gjirit, të cilat kanë lidhje të ngushta me SHBA-në, ka ndihmuar në forcimin e besimit ndaj Pakistanit, i vetmi vend islamik në botë që zotëron armë bërthamore. Pakistani ka gjithashtu popullsinë e dytë më të madhe shiite në botë pas Iranit.

Pas pavarësisë në vitin 1947, Irani ishte vendi i parë që njohu Pakistanin, dhe Islamabadi ia ktheu këtë gjest Republikës Islamike pas revolucionit të vitit 1979.

Gjithashtu, Pakistani nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe nuk e njeh sovranitetin e tij në çështjen palestineze.

Nga ana tjetër, ai mban lidhje të forta me vendet e Gjirit, ku punojnë miliona qytetarë të tij. Është gjithashtu një aleat i ngushtë i Arabisë Saudite, duke i ofruar mbështetje ushtarake në këmbim të ndihmës ekonomike. Vitin e kaluar ka nënshkruar një marrëveshje strategjike të mbrojtjes së ndërsjellë, që parashikon reagim ushtarak në rast agresioni ndaj njërës palë.

Pakistani është i vetëdijshëm për stuhinë ekonomike që mund të godasë ekonominë e tij tashmë të brishtë nëse lufta vazhdon. Çmimet e naftës dhe gazit janë tashmë shumë të larta dhe, me kalimin e kufizuar nëpër Ngushticën e Hormuzit, situata mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Për më tepër, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kërkuar kthimin e një parapagese prej 3.5 miliardë dollarësh deri në fund të muajit, gjë që do ta rëndonte edhe më shumë situatën e vështirë ekonomike të vendit – një skenar që qeveria dëshiron ta shmangë.

ME TE LEXUARAT