Rusia lë në terr "GPS"-në e avionit të von der Leyen, reagon KE: Jemi të mësuar me këto lloj kërcënimesh nga Moska

Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS të avionit që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë afrimit të tij në aeroportin e Plovdivit në Bullgari.
Zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podestà, bëri me dije se sipas autoriteteve bullgare, ndërhyrja ka qenë një akt i qëllimshëm dhe i hapur nga Rusia. Megjithatë, pavarësisht pengesave teknike, avioni u ul në mënyrë të sigurt.
“Konfirmojmë se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul i sigurt në Bullgari. Autoritetet bullgare dyshojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje të hapur nga ana e Rusisë,” deklaroi Podestà, duke konfirmuar raportimin e Financial Times.
Sipas saj, incidenti është pjesë e një strategjie më të gjerë frikësimi.
“Jemi të mësuar me këto lloj kërcënimesh dhe përpjekjesh për frikësim, të cilat përbëjnë element të sjelljes armiqësore të Rusisë. Ky episod forcon më tej vendosmërinë tonë të palëkundur për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën”, tha ajo.
Komisioni Evropian thekson se vizita e presidentes von der Leyen në vendet që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë merr një domethënie edhe më të madhe pas këtij incidenti, duke vënë në dukje rreziqet e përditshme me të cilat përballen ato.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të investojë në mbrojtje dhe gatishmëri ushtarake, veçanërisht pas këtij incidenti,” shtoi Podestà.
"Zona e GPS u errësua", rusët "sulmojnë" në ajër me avionin e Ursula von der Leyen. Pilotët ulen me...

Aeroplani që transportonte Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shënjestrua nga bllokimi i navigimit GPS ndërsa përpiqej të ulej në Bullgari të dielën.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt, shkruan CNN ndërsa shkruan se pilotët e ulën aeroplanin duke përdorur harta letre.
Komisioni mori “informacion nga autoritetet bullgare se ata dyshojnë se kjo ndërhyrje e hapur është kryer nga Rusia.
Kjo do të përforcojë më tej angazhimin tonë të palëkundur për të rritur aftësitë tona mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën”, tha zëdhënësi.
Sipas tre zyrtarëve të cituar nga Financial Times, incidenti po trajtohet si një akt i mundshëm sabotimi nga Rusia. “E gjithë zona përreth aeroportit humbi sinjalin GPS. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të padiskutueshme,” deklaroi një prej zyrtarëve.
Avioni qëndroi në ajër duke bërë qarkullime për gati një orë, përpara se piloti të vendoste ta ulte me dorë duke përdorur mjete analoge.
Dyshohet se ndërprerja e sinjalit mund të jetë shkaktuar nga “jamming” (bllokim i sinjalit) ose “spoofing” (manipulim i sinjalit), që çoi në neutralizimin e plotë të sistemeve satelitore të navigimit në atë zonë.
Ky incident lidhet me valën në rritje të ndërhyrjeve në sistemet GPS, një praktikë që në të kaluarën përdorej për qëllime ushtarake ose për mbrojtje institucionale, por që sot shfaqet gjithnjë e më shumë si një mjet destabilizimi.


