Rritet bilanci i viktimave në tragjedinë e mitingut të djeshëm në Indi, 39 persona humbën jetën, prej tyre 9 fëmijë

Të paktën 39 persona u vranë, përfshirë nëntë fëmijë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën në tragjedinë që ndodhi të shtunën në një tubim zgjedhor në shtetin jugor indian Tamil Nadu.
Incidenti tragjik ndodhi gjatë një aktiviteti të organizuar nga aktori i njohur dhe tashmë politikan Vijay, i cili po zhvillonte fushatë për partinë e tij të re politike, Tamilaga Vettri Kazhagam, në kuadër të zgjedhjeve shtetërore që priten të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.
“Deri më tani, 39 persona kanë vdekur dhe 51 janë plagosur dhe po marrin kujdes mjekësor”, u tha shefi i qeverisë lokale M.K. Stalin gazetarëve në Karur, qyteti ku ndodhi rrëmuja gjatë një tubimi të partisë TVK.
Vijay, 51 vjeç, një aktor i njohur për tre dekada, ka tërhequr turma të mëdha në tubimet e tij që kur themeloi partinë TVK (Tamilaga Vettri Kazhagam) përpara zgjedhjeve shtetërore që do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.
“Zemra ime është e thyer. Po përjetoj dhimbje dhe trishtim të padurueshëm dhe të papërshkrueshëm”, tha Vijay në një mesazh të postuar në platformën e rrjeteve sociale X, duke shprehur ngushëllimet e tij familjeve të viktimave dhe duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Dhjetëra mjekë nga zonat fqinje nxituan në Karur për të ofruar shërbimet e tyre, sipas mediave indiane.
“Incidenti i pafat gjatë një tubimi politik në Karur, Tamil Nadu, është thellësisht i keq”, tha kryeministri indian Narendra Modi në një postim në platformën X.


