Qindra Punonjës të Melonit në Grevë kundër Kufizimit të Punës nga Shtëpia

Zyra e kryeministres italiane Giorgia Meloni u përball të enjten me grevë masive, pasi qindra punonjës protestuan kundër një urdhri të ri që ul ndjeshëm të drejtën e punës nga shtëpia.
Vendimi i ri vendos një tavan prej 52 ditësh në vit për punën në distancë, rreth gjysma e asaj që lejohej deri tani. Rreth 3.500 punonjës të sekretariatit të Kryeministrisë preken drejtpërdrejt nga masa, të cilën sindikatat e konsiderojnë një hap të pashpjegueshëm prapa.
Punonjësit ankohen se vendimi cenon balancën mes jetës private dhe asaj profesionale, duke mos marrë parasysh as kaosin e trafikut në Romë e as kushtet jo të mira në disa nga zyrat shtetërore. "Mesazhi është: nuk ju besojmë", tha një punonjëse gjatë protestës.
Qeveria mbron ndryshimet duke argumentuar se prania më e madhe fizike përmirëson efikasitetin e administratës publike. Autoritetet sqaruan se gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit e fëmijëve të vegjël do të ruajnë fleksibilitet më të madh — por edhe kjo ndarje ka hapur debate për pabarazi mes kolegëve.
Italia legalizoi punën fleksibël që në 2017-ën, ndërsa fenomeni u zgjerua ndjeshëm gjatë pandemisë. Vendimi i Melonit vjen në linjë me një tendencë të gjerë evropiane e amerikane drejt rikthimit në zyra.