Putin: Propozimet e Kinës, bazë për zgjidhjen e luftës në Ukrainë
Propozimet e Kinës mund të jenë bazë për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.
Kështu ka deklaruar presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një konference për mediat me homologun e tij kinez, Xi Jinping.
“Shumë dispozita të planit të paqes kineze mund të merren si bazë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, sa herë që Perëndimi dhe Kievi janë gati për të”.
Ai tha gjithashtu se ai dhe Xi i kishin kushtuar vëmendje të madhe propozimeve të paqes të Pekinit gjatë takimeve të tyre kokë më kokë.
Nga ana tjetër, Putin ceku edhe marrëdhëniet me vendet e tjera perëndimore, konkretisht Britaninë e Madhe, për të cilën tha se nëse furnizon Ukrainën me municion me uranium të varfëruar, Rusia do të detyrohet të reagojë.
Deklarata e tij erdhi pasi Ministria e Mbrojtjes tha dje se Britania e Madhe do të dërgojë municion të tillë në Ukrainë së bashku me tanket Challenger 2.
Ndërkohë Xi në fjalën e tij iu referua marrëdhënieve tregtare midis Rusisë dhe Kinës.
Ai tha se do të fokusohet në rritjen e tre fushave: tregtia e energjisë, tregtia e lëndëve të para dhe tregtia e elektronikës.
Pasi përmendi shkurt nevojën për të forcuar lidhjet humanitare, Xi iu referua edhe planit të paqes të Pekinit për Ukrainën.
“Muajin e kaluar, Kina publikoi qëndrimin e saj për situatën në Ukrainë. Dëshiroj të theksoj se ne udhëhiqemi vazhdimisht nga Karta e OKB-së, duke iu përmbajtur një qëndrimi të paanshëm”.
Dokumenti i publikuar përbëhet nga 12 pika:
Respekt për sovranitetin e të gjitha vendeve
Refuzimi i “mentalitetit të Luftës së Ftohtë”
Ndërprerja e armiqësive
Rinisja e bisedimeve të paqes
Zgjidhja e krizës humanitare
Mbrojtja e popullatës civile dhe robërve të luftës
Sigurimi i sigurisë së centraleve bërthamore
Reduktimi i rreziqeve strategjike
Promovimi i eksportit të grurit
Përfundimi i “sanksioneve të njëanshme”
Ruajtja e stabilitetit të zinxhirëve industrialë dhe zinxhirëve të furnizimit
Promovimi i rindërtimit të pasluftës.