Paralajmërimi i Joe Biden: Nuk mund t’ia kthejmë shpinën Ukrainës

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të premten se SHBA nuk mund t’i “kthejë shpinën” Ukrainës tani, pasi një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh për Kievin mbetet e bllokuar në Kongres pasi ligjvënësit republikanë refuzojnë ta diskutojnë atë.
“Ne nuk mund ta kthejmë shpinën tani”, tha Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë në prag të dyvjetorit të fillimit të luftës.
Biden deklaroi gjithashtu se për çështjen e Rusisë së shpejti do të bisedojë me liderët e tjerë të vendeve të G7, si dhe me lidershipin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Presidenti amerikan pritet të marrë pjesë të shtunën në video-konferencën me liderët e G7 dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Më herët gjatë ditës së premte, qeveria amerikane vendosi një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, si për luftën në Ukrainë, ashtu edhe për vdekjen e liderit të opozitës Alexei Navalny.


