Paqja në Gaza shtyn edhe takimin urgjent të nëntorit për përjashtimin e Izraelit nga “Eurovision”-i

Bota

Paqja në Gaza shtyn edhe takimin urgjent të nëntorit për

Organizatorët e Festivalit të Këngës në Eurovision njoftuan sot se një takim online në nëntor për të votuar mbi pjesëmarrjen e Izraelit nuk do të mbahet, pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Njoftimi nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) u bë me një referencë të qartë ndaj marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.

Austria u kishte kërkuar vendeve të mos bojkotonin konkursin e vitit 2026, që do të organizohej në Vjenë, për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit dhe shqetësimeve mbi konfliktin dyvjeçar në Gaza. Dhe zhvillimet e fundit të paqes duket se kanë ndryshuar agjendën.

Eurovision, i cili thekson neutralitetin e tij politik, ka qenë në qendër të polemikave këtë vit, me disa vende që thanë se do të tërhiqeshin nëse Izraeli do të merrte pjesë. Transmetuesi shtetëror austriak ORF, i cili do të presë konkursin e vitit 2026, i tha “Reuters” se e mirëpriti vendimin e EBU-së.

Vendimi i EBU-së përkon me lirimin e pengjeve të fundit izraelitë të mbijetuar nga Hamasi dhe lirimin e qindra të burgosurve palestinezë nga Izraeli, si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi që synon t’i japë fund luftës dyvjeçare.

Sipas deklaratës së EBU-së:

“Këshilli ra dakord ta përfshijë çështjen në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të Dimrit të planifikuar, e cila do të mbahet në dhjetor”, në vend të takimit të jashtëzakonshëm online të planifikuar për në nëntor.

Përveç kësaj, pas “zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme”, Këshilli Ekzekutiv vendosi që diskutimi mbi pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës Eurovision 2026 duhet të zhvillohet personalisht midis anëtarëve.

EBU nuk sqaroi, kur u pyet nga Reuters, nëse do të mbahej një votim për pjesëmarrjen e rrjetit izraelit KAN, duke vënë në dukje se detaje të mëtejshme rreth takimit do të shpallen në javët në vijim. KAN nuk ka bërë asnjë koment deri më tani.

ME TE LEXUARAT