Moska akuzon Kievin për rrëzimin e avionit ushtarak

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi të mërkurën forcat ukrainase për rrëzimin e një avioni ushtarak transporti ku humbën jetën të gjithë personat në bord, mes tyre 65 të burgosur ukrainas lufte që do të shkëmbeheshin. Robërit e luftës po transportoheshin në rajonin Belgorod të Rusisë, thanë zyrtarët.
Deri në publikimin e lajmit nuk ka pasur komente nga zyrtarët ukrainas. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk ka mundur të konfirmojë se kush ndodhej në bordin e avionit të rrëzuar. Zyrtarët në Kiev bënë thirrje kundër shpërndarjes së informacioneve të paverifikuara.
Përveç 65 robërve të luftës, avioni ushtarak i transportit kishte një ekuipazh prej 6 vetash dhe tre pasagjerë të tjerë, thanë zyrtarët rus të mbrojtjes.
Sipas deklaratës, radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni ukrainas i Kharkiv-it në kufi me Belgorodin. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e quajti sulmin “një akt terrorist.”