Luftë në kufi, 33 të vdekur mes Kamboxhias dhe Tajlandës – kërkohet armëpushim i menjëhershëm

Luftimet e ashpra në kufirin mes Kamboxhias dhe Tajlandës kanë marrë jetën e të paktën 33 personave dhe kanë zhvendosur mbi 170 mijë banorë, ndërsa përplasja po përshkallëzohet në nivelin më të rrezikshëm të dekadave të fundit. Të dyja palët raportojnë përdorim të artilerisë së rëndë, avionëve luftarakë dhe tankeve – një situatë që ka alarmuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili u mblodh dje në një takim urgjent me dyer të mbyllura.
Nga ana kamboxhiane raportohet për 13 të vrarë dhe 71 të plagosur, ndërsa Tajlanda konfirmon 20 viktima në total – përfshirë 14 civilë dhe gjashtë ushtarë. Të dyja shtetet fajësojnë njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve, me akuza për goditje ndaj infrastrukturës civile dhe përdorim të municioneve të ndaluara.
Përplasjet janë përqendruar pranë “Trekëndëshit të Smeraldit”, një zonë kufitare me histori të gjatë mosmarrëveshjesh, të trashëguara që nga periudha koloniale franceze. Ndërhyrja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2013 duket se nuk ka sjellë zgjidhje të qëndrueshme.
Ambasadori kamboxhian në OKB, Chea Kheub, deklaroi se vendi i tij kërkon një armëpushim të menjëhershëm dhe një zgjidhje paqësore të konfliktit. Edhe Tajlanda është shprehur e hapur për negociata, duke përmendur Malajzinë – që aktualisht kryeson ASEAN – si ndërmjetëse të mundshme. Por kontaktet zyrtare ende mungojnë.
Ndërkohë, tensionet në kufi mbeten të larta dhe frika e përshkallëzimit në një luftë të plotë është reale. Kryeministri i përkohshëm tajlandez ka paralajmëruar publikisht për rrezikun e një konflikti të gjerë nëse situata nuk frenohet menjëherë.


