Kievi “pranon” rrëzimin e avionit rus me robërit ukrainas: Nuk e dinim

Një aeroplan transporti ushtarak rus Ilyushin-76 u rrëzua këtë të mërkurë në rajonin jugor të Belgorodit pranë Ukrainës. Ministria ruse e mbrojtjes tha se 65 ushtarakë ukrainas të kapur rob ishin në bordin e aeroplanit që po shkonte në një zonë për shkëmbimin e të burgosurve. Inteligjenca ushtarake ukrainase lëshoi një deklaratë duke akuzuar Rusinë për rrezikimin e jetëve të të burgosurve të luftës.
Ajo tha se nuk ishte vënë në dijeni se duhej të siguronte hapësirën ajrore mbi Belgorod. Deklarata e Ukrainës tashmë po shihet si një pranim i heshtur se ishte ajo që rrëzoi avionin. Agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti tha se 9 persona të tjerë ishin në aeroplan, nga të cilët 6 ishin anëtarë të ekuipazhit.
Një video e shpërndarë në mediat sociale tregonte një aeroplan që binte në tokë pasuar nga një shpërthim dhe një top zjarri. Guvernatori rajonal në rajonin rus të Belgorod, Vyacheslav Gladkov, tha se avioni u rrëzua në një fushë pranë një zone të banuar dhe se të gjithë në bord kishin vdekur. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha fillimisht se avioni po transportonte raketa për sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-300. Në deklaratë nuk përmendeshin të burgosurit e luftës.
Asnjë nga detajet rreth atyre që ndodheshin në bord nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, por inteligjenca ushtarake e Ukrainës duket se pranoi se ushtarët ukrainas robër mund të kenë qenë në bord. Ajo tha në një deklaratë se ishte përgjegjësi e Rusisë “të garantonte sigurinë e mbrojtësve tanë sipas marrëveshjeve që ishin arritur” dhe se në këtë rast nuk ishte informuar se hapësira ajrore duhej të mbrohej “në kohën e përcaktuar” si në shumë raste të mëparshme.
Kjo tregon veprimet e qëllimshme të Rusisë që synojnë të vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e të burgosurve” – thuhej në deklaratë. Përpara shkëmbimit të planifikuar të të burgosurve, zyrtarët ukrainas thanë se ushtarakët rusë të kapur “u dorëzuan në vendin e rënë dakord në kohë për t’u shkëmbyer dhe se ata ishin të sigurt atje”.