Kanada merr vendimin, pezullon vaksinën AstraZeneca për moshat nën 55-vjeç

Qeveria kanadeze ka marrë vendimin për të pezulluar përdorimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca për personat nën moshën 55 vjeç, pas alarmit se kjo vaksinë mund të shkaktojë mpiksje gjaku. Për këtë ka folur nënkryetari i Komitetit Kombëtar Këshillimor për Imunizimin, Shelley Deeks.
“Ekziston një pasiguri thelbësore në lidhje me vaksinën AstraZenecapër personat nën 55 vjeç duke pasur parasysh rreziqet e mundshme”, tha ai.
Deeks tha se rekomandimet e azhurnuara vijnë mes të dhënave të reja nga Europa që tregojnë se rreziku i mpiksjes së gjakut tani është potencialisht më i lartë seç mendohej më parë: një në 100,000 banorë. Sipas të dhënave, shumica e pacientëve në Europë që zhvilluan një mpiksje të rrallë gjaku pas vaksinimit me AstraZeneca ishin gra nën moshën 55 vjeç, dhe shkalla e fatalitetit midis atyre që zhvillojnë mpiksje është deri në 40%.
AstraZeneca, e cila është autorizuar në më shumë se 70 vende, është një shtyllë e një projekti të mbështetur nga OKB i njohur si COVAX që synon të shpërndajë vaksinat në vendet e varfra. COVAX është bërë gjithashtu një mjet kryesor në përpjekjet e vendeve europiane për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.
Disa vende europiane që kishin pezulluar përdorimin e vaksinës për shkak të shqetësimeve se mund të shkaktonte mpiksje gjaku kanë rifilluar administrimin e saj pasi rregullatori i barnave të BE-së tha se vaksina ishte e sigurt.
Vaksina përdoret gjerësisht në Britani, në të gjithë kontinentin Europian dhe në vende të tjera, por shpërndarja e mëtejshme e vaksinës u pengua nga raportet e paqëndrueshme të studimit për efektivitetin e saj, dhe më pas për raportet e mpiksjes së gjakut te disa pacientë.


