Italia nën ujë, përmbytje dhe emergjenca, alarm portokalli në këto pesë rajone

Bota

Italia nën ujë, përmbytje dhe emergjenca, alarm portokalli

Një valë moti të keq ka përfshirë disa rajone të Italisë, duke shkaktuar përmbytje, dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Situata paraqitet më e rënduar në veri dhe në pjesë të qendrës së vendit, ku reshjet intensive të shiut kanë detyruar autoritetet të ndërhyjnë me urgjencë.

Në rajonin e Venetos, komunat Spinea, Mirano, Mestre dhe Marghera janë goditur rëndë nga përmbytjet, ndërsa nënkalimet janë mbushur me ujë, duke shkaktuar bllokime trafiku dhe rrezik për jetën e qytetarëve.

Në Padova, përmbytje dhe dëme të konsiderueshme janë regjistruar në Casale di Scodosia, Merlara, Villafranca Padovana dhe Mestrino, ku zjarrfikësit kanë marrë mbi 130 thirrje për ndihmë dhe kanë kryer të paktën 30 ndërhyrje për pastrimin e pemëve të rrëzuara dhe dëmeve nga uji.

Situata nuk është më e lehtë në jug të Milanos, ku në zonën e Lacchiarella rrugët u përmbytën deri në 40 centimetra, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për të pastruar bodrume dhe rrugë të bllokuara. Në Prato, moti i keq ka shkaktuar rënie të degëve dhe pemëve, disa prej të cilave kanë dëmtuar makina dhe çati banesash.

Qyteti i Viterbos u godit nga stuhi e fuqishme me breshër, shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta, duke shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të energjisë, ndërsa nënkalimet kryesore u shndërruan në rrjedha të rrezikshme uji dhe një degë e madhe ra në mes të sheshit Verdi.

Në kryeqytet dhe provincën përreth, zjarrfikësit kanë kryer mbi 100 ndërhyrje për pemë të rrëzuara, objekte të rrezikshme dhe dëme të tjera të shkaktuara nga moti i keq, me zonat më të goditura në juglindje të Romës dhe bregdetin mes Fregenes dhe Ostias.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, autoritetet kanë shpallur alarmin portokalli për rrezik të lartë në pesë rajone të vendit.

ME TE LEXUARAT