Çift në Britani, gruaja drogonte klientët para se t'i grabiste: dy viktima të vdekura

Bota

Çift në Britani, gruaja drogonte klientët para se t'i

Një skemë kriminale tronditëse është zbuluar në Britaninë e Madhe, ku një grua që paraqitej si punonjëse seksi u jepte fshehurazi viktimave doza të rrezikshme qetësuesi, me qëllim që t'i grabiste së bashku me bashkëpunëtorin e saj. Dy persona kanë humbur jetën si rezultat i kësaj skeme.

31-vjeçarja Antina Mihai dhe 30-vjeçari Mădălin Dumitru kanë pranuar para gjykatës fajësinë për vrasje nga pakujdesia ndaj dy burrave — një 80-vjeçar nga Gloucestershire dhe një 37-vjeçar nga Oxfordshire. Në Gjykatën e Oksfordit, çifti u deklarua fajtor edhe për dy raste të tjera helmimi ndaj burrave në jug të Anglisë, viktima të cilëve mbijetuan.

Sipas hetimeve, mes gushtit 2024 dhe korrikut 2025, dy të akuzuarit — që më parë jetonin në Ilford, Essex — kishin në shënjestër burra që kërkonin shërbime seksuale. Skema fillonte me një parapagim nga viktima, pas së cilit Mihai shkonte vetë në banesën e tyre. Duke u shtirur si punonjëse seksi, ajo u jepte fshehurazi viktimave substancën GBL (gama-butirolakton), e cila në organizëm shndërrohet në GHB — një lëndë me efekt të fortë qetësues dhe narkotik.

Malcolm King, 80 vjeç, banor i një fshati pranë Cirencester-it në Gloucestershire, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij më 21 gusht 2024. Gary Muat, 37 vjeç, u gjet i vdekur në banesën e tij në Banbury më 13 korrik të vitit të kaluar. Hetuesit e policisë së Thames Valley zbuluan, pas autopsisë, se Muat ishte helmuar me GBL të hedhur në një pije alkoolike.

Pas lëshimit të një njoftimi kombëtar për verifikimin e rasteve të mundshme të lidhura, njësia e krimeve të rënda e policisë së Gloucestershire rihapi hetimin për vdekjen e King-ut, e konsideruar fillimisht jo e dyshimtë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Analizat e reja toksikologjike konfirmuan se edhe ai ishte helmuar me të njëjtën substancë.

Hetuesit identifikuan gjithashtu dy burra të tjerë në jug të Anglisë, të drogosur dhe grabitur nga çifti, por që arritën të mbijetonin — identiteti i të cilëve mbetet i pazbuluar për arsye ligjore. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e viktimave të tjera të paidentifikuara.

Të paraqitur në gjykatë përmes videokonference, dy të akuzuarit pranuan fajësinë për vrasjen nga pakujdesia të dy viktimave, si dhe për dy akuza shtesë lidhur me administrimin e helmit.

Detektivi Adam Stacey, drejtues i hetimit në policinë e Gloucestershire, përshkroi veprimet e çiftit si "cinike dhe të paramenduara", duke theksuar se në rastin e King-ut ato patën pasoja fatale. Detektivi Michael Roddy, nga policia e Thames Valley, u shpreh i kënaqur që familja e Muat-it më në fund mori përgjigje pas përmbylljes së hetimeve.

Antina Mihai dhe Mădălin Dumitru mbeten në paraburgim dhe do të dënohen në një seancë të mëvonshme nga Gjykata e Oksfordit, ku gjyqtarja Brunner i ka paralajmëruar se përballen me dënime të gjata me burg.

ME TE LEXUARAT