Berisha: Dakord me dorëheqjen e Ramës dhe kufizimin e mandateve, por kundër qeverisë tranzitore "me short"

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh mbi kërkesat e lexuara nga Dritan Goxhaj në protestën në Tiranë, duke dhënë mbështetje për pjesë të platformës, por duke kundërshtuar formën se si propozohet të krijohet qeveria tranzitore.
Berisha tha se është plotësisht dakord me dy nga kërkesat kryesore: dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe vendosjen e një kufizimi prej dy mandatesh për postin e kryeministrit. Sipas tij, PD është e gatshme të votojë këtë nismë në Parlament që nga e nesërmja dhe t'i bëjë thirrje qytetarëve të mbështesin një masë të tillë, duke argumentuar se "Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit" gjë që, tha ai, vërtetohet edhe nga dokumente ndërkombëtare.
Lideri demokrat shtoi se tetë vite në pushtet janë të mjaftueshme për të zbatuar pikat kryesore të një programi qeverisës, edhe pse jo në përpikëri totale. Sipas tij, problemi në rastin e Ramës është se ai "qëndron në pushtet pa zgjedhje".
Ndryshe nga kjo, Berisha doli kundër propozimit për të zgjedhur me short Asamblenë e Tranzicionit dhe qeverinë teknike. Ai këmbënguli se PD ka qenë në vijën e parë të kundërshtimit ligjor ndaj ligjeve për zonat e mbrojtura, koncesionet dhe investimet strategjike, duke kujtuar se në platformën e tij, përjashtimet nga taksat për investime ishin pranuar vetëm për zonat malore.
"Para një jave kam propozuar një qeveri jopartiake, tranzitore, jo e zgjedhur me short, por të votohet në Parlament," deklaroi Berisha. "Një qeveri jashtë Kushtetutës nuk bëhet fjalë. Unë s'dal jashtë ligjit." Ai theksoi se, si ish-president dhe ish-kryeministër, e kupton propozimin si një qeveri jopartiake, e përbërë nga ekspertë dhe intelektualë të njohur, që duhet të marrë votëbesimin e plotë të Parlamentit dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.


