"Në 21 Janar protestohej dhe vritej" — Isai dhe Boçi në debat të ashpër, ndërhyn edhe Zhupa

Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Socialisti Erion Isai dhe demokrati Luçiano Boçi u përplasën verbalisht, ndërsa në debat ndërhyri edhe deputetja Ina Zhupa.
Isai argumentoi se ndarja mes periudhës para dhe pas 2013-ës tregon një ndryshim cilësor në qeverisje, duke iu referuar protestave të dhunshme të së kaluarës: "Protestoheshe dhe vriteshe, tani protestohesh, nuk vritesh. Është ndryshim i madh cilësor," tha ai.
Boçi i kundërpërgjigjet, duke vënë në dukje se protesta aktuale është paqësore dhe duke i kërkuar Isait të mos nxitojë me gjykime mbi rrethanat e ngjarjeve të dhunshme të së shkuarës: "Mos merr përsipër të bësh prokurorin dhe gjykatësin," i tha ai.
Tensioni vazhdoi me replika të ndërsjella Isai përmendi pjesëmarrjen e tij personale në protestat e kohës kur ishte student në Akademinë e Arteve, ndërsa Zhupa e pyeti drejtpërdrejt nëse kishte qenë vetë në SPAK gjatë ditës. Isai u përgjigj se shkon në SPAK "sa herë të jetë e nevojshme", duke akuzuar palën tjetër se e sheh institucionin "me dy lupa" një herë kur bëhet fjalë për protestë, e një herë kur i drejtohet atij personalisht.
Replika mbylli me një shkëmbim simbolik: Boçi i kërkoi Isait ta përcaktojë veten sipas analogjisë "shpendë apo kafshë" në raport me ata që shkojnë në SPAK, ndërsa Isai u përgjigj se ai e identifikon veten "tek njerëzit që e pranojnë drejtësinë".


