Ronaldinho drejt Ravennës, klubi italian njofton marrëveshjen historike

Qyteti i Ravennës po përgatitet të mirëpresë legjendën braziliane Ronaldinho, pas marrëveshjes së arritur mes klubit lokal dhe ish-yllit të futbollit, fitues i Topit të Artë në 2005. Lajmi u zbulua zyrtarisht gjatë një eventi në Miami, ku u konfirmua bashkëpunimi me futbollistin 46-vjeçar.
Kryebashkiaku i Ravennës, Alessandro Barattoni, e cilësoi marrëveshjen si moment historik për sportin dhe për vetë qytetin. "Në botën e sportit ka firma dhe ngjarje që mbeten në histori," tha ai. "Marrëveshja e prezantuar zyrtarisht në Miami mes Ravenna Football Club dhe Ronaldinhos është një prej atyre ngjarjeve që nuk do të harrohen kurrë." Sipas tij, bëhet fjalë për një hap që deri pak kohë më parë do të dukej i paimagjinueshëm për tifozët e klubit, sidomos për ata që e kanë ndjekur skuadrën ndër vite në stadiumin Benelli dhe në fushat e provincës.
Entuziazëm shprehu edhe Michele de Pascale, president i Rajonit Emilia-Romagna dhe ish-kryebashkiak i Ravennës, i cili e sheh marrëveshjen si një mundësi të madhe promovimi për të gjithë territorin. "Një kampion që ka shkruar historinë e futbollit botëror do të ndihmojë në tërheqjen e vëmendjes globale drejt zonës sonë," u shpreh ai, duke iu drejtuar drejtpërdrejt brazilianit: "Ravenna dhe Emilia-Romagna janë gati të të mirëpresin, Gaúcho."
Klubi ka njoftuar gjithashtu se tifozët mund të blejnë tashmë fanellën zyrtare me emrin e Ronaldinhos përmes faqes së internetit, ndërsa pritshmëria për mbërritjen e tij në Ravenna vazhdon të rritet.


