Tërmeti i fuqishëm në Filipine, shkon në 55 numri i viktimave,vijojnë kërkimet për 38 persona të zhdukur

Bota

Tërmeti i fuqishëm në Filipine, shkon në 55 numri i

Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugun e Filipineve është rritur në 55 të vdekur, ndërsa 38 persona rezultojnë ende të zhdukur, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Këshilli Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (NDRRMC).

Autoritetet raportojnë gjithashtu se të paktën 1,120 persona janë plagosur si pasojë e lëkundjes sizmike me magnitudë 7.8, e cila goditi të hënën brigjet jugore të ishullit Mindanao.

Sipas NDRRMC, tërmeti ka prekur më shumë se 86 mijë familje, ose mbi 390 mijë banorë. Rreth 19 mijë banesa kanë pësuar dëme, ndërsa furnizimi me energji elektrike është ndërprerë në 48 qytete dhe bashki.

Dëme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në infrastrukturën rrugore, ura, aeroporte dhe porte detare, duke vështirësuar operacionet e transportit dhe ndihmës humanitare. Aeroporti Ndërkombëtar i General Santos vijon të funksionojë për fluturimet ushtarake dhe misionet humanitare, ndërsa fluturimet komerciale mbeten të kufizuara.

Mbi 3,700 punonjës të ekipeve të emergjencës janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat më të goditura, ku shpresat për gjetjen e të mbijetuarve mbeten ende të hapura.

Instituti Filipinas i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë bëri të ditur se tërmeti ndodhi në orën 07:37 sipas kohës lokale, në një thellësi prej 33 kilometrash. Epiqendra u lokalizua rreth 32 kilometra në jugperëndim të brigjeve të komunës Maasim, në provincën Sarangani të ishullit Mindanao.

Pas goditjes kryesore, sizmologët kanë regjistruar më shumë se 3,860 pasgoditje, duke mbajtur në alarm autoritetet dhe banorët e zonës.

Filipinet janë një nga vendet më të ekspozuara ndaj aktivitetit sizmik në botë për shkak të pozicionit të tyre në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një rajon me aktivitet të lartë tektonik dhe vullkanik ku ndodhin shpesh tërmete dhe shpërthime vullkanike.

ME TE LEXUARAT