Tërmeti i fuqishëm godet Indonezinë, mbeten dhjetëra të lënduar

Një tërmet me magnitudë 6.0 ka goditur mëngjesin e sotëm rajonin Poso në Sulawesin qendror të Indonezisë, duke shkaktuar dhjetëra të lënduar.
Sipas autoriteteve, 29 persona janë raportuar të plagosur, mes tyre dy në gjendje kritike. Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 10 kilometrash dhe u ndje gjerësisht edhe në zonat përreth.

Deri më tani nuk ka raportime për viktima, ndërsa Agjencia e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës e Indonezisë (BMKG) njoftoi se nuk ka rrezik për cunami.
Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë shumë aktive sizmike, ku pllakat tektonike përplasen shpesh duke shkaktuar tërmete të fuqishme.


