I arrestuar gjatë protestave të janarit në Iran, ekzekutohet atleti 21-vjeçar

Një atlet 21-vjeçar i karatesë, i arrestuar gjatë protestave të janarit në Iran, është ekzekutuar nga autoritetet iraniane.
Sipas raportimeve të transmetuesit opozitar me seli në Londër, Iran International, i riu është identifikuar si Sasan Azadvar. Burime gjyqësore iraniane bëjnë me dije se ai ishte dënuar me akuza që përfshinin “bashkëpunim aktiv me armikun”, dëmtim të automjeteve të policisë dhe nxitje të dhunës me qëllim prishjen e rendit publik.
Azadvar mbahej në burgun Dastgerd, në pjesën qendrore të Iranit. Para arrestimit, ai ishte fitues i një turneu provincial të karatesë në Isfahan.
Ekzekutimi i tij pritet të sjellë reagime të forta ndërkombëtare, në një kohë kur Irani vijon të kritikohet për trajtimin e protestuesve dhe përdorimin e dënimit me vdekje.


