Humbja e Scholz në zgjedhjet Europiane, Gjermania shuan zërat: S’do ketë zgjedhje të parakohshme

Bota

Në Gjermani, që është republikë parlamentare, zgjedhjet e përgjithshme janë me rëndësi qendrore: pasi është kancelari ai që i përcakton linjat kryesore të politikës së vendit. Që të shpallen zgjedhje të reja të parakohshme, në Gjermani është e nevojshme që kancelari të humbasë votëbesimin në parlament.

As kancelari dhe as presidenti i Gjermanisë nuk mund të urdhërojnë zgjedhje të reja për Bundestagut gjerman "krejt papritur". Kjo nuk parashikohet në Kushtetutën gjermane, në Ligjin Themelor. Hartuesit e Kushtetutës donin të garantonin një stabilitet më të madh, pas përvojave që e destabilizuan Republikën e Vajmarit në vitet 1930. Për të shmangur destabilizimin e vendit, u caktuan në kushtetutë disa "pengesa": zgjedhjet e reja për Bundestagun mund të zhvillohen vetëm pas disa hapave të ndërmjetëm.

Në hapin e parë, Kancelari Federal i paraqet Bundestagut votëbesimin, në përputhje me nenin 68 të Kushtetutës. Eshtë kancelari dhe askush tjetër ai që vendos nëse e bën apo jo një hap të tillë. Kur e fiton votëbesimin, gjithçka mbetet siç ishte.

Por kur e humbet votëbesimin? Në parim është e mundur që Bundestagu të zgjedhë një person tjetër si Kancelar Federal me shumicën e anëtarëve të tij. Kjo ndodhi në fund të vitet 1970, kur kancelarin socialdemokrat Helmut Schmidt e pasoi në post opozitari kristjandemokrat Helmut Kohl. Schmidt u detyrua të kërkonte votëbesimin pas braktisjes së qeverisë së tij nga liberalët e FDP-së me Hans Ditriech Genscher-in.

Kur nuk arrihet të zgjidhet një kancelar tjetër, Presidenti federal mund të shpërndajë Bundestagun brenda 21 ditëve, me propozimin e Kancelarit federal.

Zgjedhje të reja pas 60 ditësh

Kur në përputhje me Nenin 39 (1) pika 4 të Ligjit Themelor, Presidenti federal shpërndan Bundestagun, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 60 ditëve. Në Gjermani, zgjedhjet e reja sjellin zakonisht edhe një kancelar të ri federal. Sepse kancelari zgjidhet nga Bundestagu.

Hera e fundit kur u shpërbë Bundestagu dhe u mbajtën zgjedhje të reja në Gjermani ishte viti 2005. Kancelari socialdemokrat i atëhershëm Gerhard Schröder kërkoi votëbesimin pas zgjedhjeve në landin e Rinit Verior-Vestfalisë. Llogaria e Schröderit me zgjedhjet e parakohshme ishte që të fitonte një mandat të tretë për të qeverisur. Por ai i humbi zgjedhjet me diferencë të vogël ndaj CDU/CSU me Angela Merkelin. Pas kësaj, Presidenti federal Horst Köhler shpërndau Bundestagun dhe u mbajtën zgjedhje të reja parlamentare./ DW

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion