Greqi, shkatërrohet rrjeti i kontrabandës dhe abuzimit me pompat e karburanteve
Njësia Greke e Krimit të Organizuar ka shkatërruar një rrjet kontrabande të karburanteve që kishte shtrirë lidhjet me Rumaninë, Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë.
22 persona u vendosën në pranga, përfshirë drejtuesit e rrjetit të kontrabanës, 39-vjeçari i identifikuar si T.S., i cili ndan të njëjtin mbiemër me një figurë të botës së errët të krimit të organizuar.
Që nga fillimi i këtij viti, dyshohet se ky rrjet ka importuar 1.5 milion litra benzinë nga Rumania dhe ka kontrabanduar të paktën 200 ton tretës kimik nga Polonia për të falsifikuar karburantin pa paguar taksat.
Rrjeti ka furnizuar të paktën 10 stacione karburanti në të gjithë Atikën Perëndimore, Ano Liosia, Agioi Anargyroi, Kamatero dhe rajone duke përfshirë Lakonia, Monemvasia dhe Arta.
Hetuesit grekë zbuluan programin e specializuar të quajtur “solitaire” që i ngjante solitaire-it kompjuterik, por që u mundësonte pompave të vidhnin 25% të karburantit përmes kombinimeve të tastierës, shkruan Ekathimerini.
Një pronar stacioni të një karburanti ishte përballur më parë me akuza në lidhje me vrasjen e gazetarit Giorgos Karaivaz përpara se të lirohej nga akuzat.
Rrjeti përdorte deklarata doganore të rreme, duke pretenduar se karburanti kalonte tranzit përmes Greqisë në Shqipëri, ndërsa shkarkohej fshehurazi në rezervuarë nëntokësorë.
Policia sekuestroi mbi 800 mijë euro dhe zbuloi se si realizohej pastrimi i parave përmes stacioneve të benzinës dhe kafeneve.